Është prezantuar në Romë projekti “Eagle LNG”, një gazsjellës italo-shqiptar që parashikon të shtrihet nga një terminal pranë Levanit në Shqipëri, deri në brigjet e Italisë në Lendinuso, midis Brindisit dhe Lecce-s.
Ky projekt bën fjalë për një ndërlidhës, i cili përfshihet në rrjetin kombëtar të gazsjellësve të Ministrisë Italiane të Zhvillimit Ekonomik dhe njihet si një infrastrukturë strategjike nga Bashkimi Europian për furnizimin me gaz.
Gazsjellësi synon të furnizojë vendet e Ballkanit, kërkesa nga të cilat do të jetë gjithmonë e në rritje, si pasojë e gazifikimit të ulët të këtyre vendeve.
“Eagle LNG bazohet në një projekt me impakt të vogël në ambient, si në Shqipëri, ku anija e rigazifikimit është e ankoruar pesë kilometra larg një bregu të pabanuar dhe me pak rëndësi për mjedisin, si në Itali. Pika e takimit në Puglia, në jug të Brindisit, është zgjedhur me kujdes pas studimit të impaktit mjedisor. Përshkimi i gazsjellësit në det nuk kalon nga koralet, ndërsa zona e takimit nuk shtrihet në zona të mbrojtura, ka një zhvillim të ulët urban dhe është pranë rrjeteve rrugore si dhe pranë pikës së lidhjes me rrjetin shpërndarës të Snam Rete Gas”, tha Michele Emiliano, president i Regione Puglia.
Gazsjellësi nënujor me diametër prej 71 centimetrash do të lidhë terminalin në Shqipëri me rrjetin energjetik italian në një gjatësi prej 110 kilometrash, me një thellësi maksimale prej 815 metrash.
Pasi të zbarkojë në Itali, tubat do të përshkojnë edhe 18 km të tjerë nga plazhi deri tek rrjeti kombëtar me presion të lartë, shkruan Scan TV. Kapaciteti i gazsjellësit është prej 10 miliardë metra kub gaz natyror në vit.
Eagle është gazsjellësi i tretë që do të transportojë gaz mes Italisë dhe Ballkanit, të tjerët janë TAP dhe Igi-Poseidon.