“Lufta më e keqe është brenda llojit”, kjo është shprehja që të vjen ndërmend kur sheh “luftën” e ashpër që po bëhet mes PS-së dhe LSI-së.
Që nga marrëveshja e 18 majit mes kryeministrit Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha, duket se LSI-ja është futur në “listën e zezë” për të mos qeverisur në 4-vjeçarin e ardhshëm.
Kjo duket fare qartë në batutat e kryeministrit me timonin e famshëm, teksa këmbëngul për “drejtimin e timonit pa mbajtur të tjerë në prehër”.
Nga ana tjetër, edhe LSI i mëshon fort objektivit të saj për të dalë forcë e parë në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.
Veç kësaj, të gjithë aktorët politikë po shfrytëzojnë çdo rast për të akuzuar partinë kundërshtare. Mjafton të kujtojmë akuzat e Braçes ndaj ministrave të LSI-së, apo replikat e forta mes Kejdi Mehmetajt dhe ish-ministres Lindita Nikolla.
Duket se LSI dhe PS mezi kanë pritur mbarimin e mandatit bashkëqeverisës për të shpërthyer në akuza, ndërsa opozita është mjaft “e lodhur”.
Edhe pse Basha pretendon në mitingjet elektorale se opozita është më e bashkuar se kurrë, faktet tregojnë të kundërtën. Shuplaka më e fortë ndaj tij erdhi nga Topalli dhe Imami, të cilët kërkuan mbledhjen e forumeve për shkarkimin e kreut të Partisë Demokratike.
Megjithatë, premtimet e Bashës janë deri diku të besueshme, sepse në fund të fundit nuk e kemi parë në rolin e kryeministrit dhe nuk mund të themi de facto se nuk i mban këto premtime.
Krejt e kundërta është me LSI-në dhe PS-në, liderët e të cilave i kanë ditur fare mirë defektet e njëra-tjetrës, por zgjodhën të heshtin. Zgjodhën t’i pranojnë këto defekte, pavarësisht dëmit shkaktuar shqiptarëve, për hir të qeverisjes.
Në këtë lëmsh politik, nuk dihet me saktësi çfarë do të ndodhë, ndërsa gjasat tashmë janë më shumë të një bashkëqeverisjeje mes PS-së dhe PD-së, sesa PS-së dhe LSI-së. E nëse kjo ndodh, mos u habisni. Nuk kemi parë gjë akoma! /Tirana Today