Nga: Gëzim Tushi
Besimi se sa më shumë të përparonte demokracia në Shqipëri, aq më të zhvilluar, qytetarë dhe qytetërues do të ishin gjuha dhe dialogu politik, nuk po vërtetohet. Përkundrazi, gjendja linguistike, retorike e oratorike e saj, në gjuhën e politikanëve të pozitës dhe opozitës, është duke u degraduar deri në nivele alarmante.
Sidomos në këto ditë të nxehta klimatike dhe politike, marrëdhëniet e pozitës me opozitën kanë qenë të vështira. Nuk bëhet fjalë për mungesën e logjikës së kompromisit, që në politologji konsiderohet si “lavdia e demokracisë”, por thjesht për deformimin e standardeve dhe të rregullave të “gjuhës politike” në Shqipëri. Në Parlament dhe sidomos mediatikisht, ajo është banalizuar deri në limitet e fundit të etikës dhe ka marrë një rrugë të mbrapshtë në dialogun interaktiv të politikanëve kundërshtarë.
Madje, ajo është deformuar keq jo vetëm te politikanët profesionistë; ndikimi i saj si refleks ngjitës, ka filluar të ndihet në media dhe e reflektuar gjerësisht edhe në gjuhën komunikuese dhe dialogun neurotik te publiku i gjerë. Nuk është fjala për të bërë teori për rolin e gjuhës në politikën moderne, por ama kur shikon këtë situatë të shpërdorimit ekstrem, nuk mund të mos evidentosh të vërtetën për nivelin e mjeruar të “gjuhës politike”, për këtë mjet kryesor, në mos të vetëm, me të cilin bëhet politika e kohës demokratike. Një mjet që është pasqyrim i faktit që politika në këtë vend në vend të emancipohej si instrument i komunikimit politik, kulturor e publik, po ecën drejt degradimit dhe banalizimit të saj.
Nuk e di nëse politikanët tanë kanë nivelin e duhur dhe konceptin adekuat për të kuptuar se forca dhe vlera e gjuhës politike, si mjet komunikimi në shoqërinë demokratike, është shumë e madhe. Duket që politikanët, shumica e tyre më saktë, nuk e kanë të qartë “përgjegjësinë e gjuhës politike”. Këtë të vërtetë e kupton kur përballesh me atë që po ndodh në politikën shqiptare, në të cilën ka shpërthyer “epidemia” e një fushate gjuhësore politike banale, e shfrenuar, e dalë nga kontrolli etik, nga vetëpërmbajtja demokratike. Përgjithësisht, politika jonë, tradicionalisht në tri dekada ka qenë e ashpër, jotolerante nga pikëpamja fizike, konceptuale e gjuhësore. Sipas mendimit tim, artikulimi gjuhësor ka rënë kaq poshtë, gjuha e politikanëve të këtij vendi duket se ka precipituar në “fundin e lejueshëm të saj”, duke e reduktuar debatin jo me instrumentet adekuate e elokuente të saj, por në gjuhë të ashpër, të drunjtë, të fortë, joetike.
Padyshim, atmosfera politike në Shqipëri duket se është e tensionuar për shkaqe thelbësisht ekstragjuhësore. Kjo ndihet dhe kuptohet lehtë nga qytetari, sepse është ai që po përballet përditë nga “bombardimi politik” me gjuhën e “drunjtë”, madje të hekurt, që ka mbuluar politikën tonë.
“Eteri” i jetës publike është inonduar nga fushata dhe kundërfushata retorike paralele, të goditjeve dhe kundërgoditjeve gjuhësore politike të pozitës dhe opozitës. Vrazhdësi e skajshme, brutalitet i dukshëm, gjuhë politike devijante, e cila para se të shfaqet në ekran, gati ka nevojë për “pullë të kuqe”.
Fytyra të acaruara, grimasa të pakontrolluara të politikanëve, e kanë inonduar keq situatën qytetare. Kjo gjendje e sjelljes dhe e gjuhës politike, është duke e cenuar keq dinjitetin e politikës shqiptare, e cila, për fat të keq, jo vetëm që nuk po frenohet, por ka marrë rrugën e degradimit moral dhe profesional kreshendo. Një bezdi e vërtetë qytetare, që na vjen si “peshqesh” nga politika, së cilës të paktën mungesën e etikës së sjelljes politike dhe artikulimin banal gjuhësor, nuk ia kemi borxh. Sepse një politikë me gjuhë frenetike, të paekuilibruar, nuk dëmton vetëm cilësinë dhe performancën e saj, por pengon qytetarët të jenë në gjendje të dallojnë, ca më shumë të ndajnë, thelbin e vërtetë të debatit politik, esencën e çështjes, nga objekti i artikuluar i “gjuhës politike” që përdoret.
Kaq intensive është bërë të folurit me tone banale dhe ofenduese, saqë është bërë e vështirë për qytetarin të dallojë se ku është “argumenti” dhe ku fillon “shpifja”, ku është dhe sa është e vërteta e konfliktit pozitëopozitë, dhe ku mbaron retorika gjuhësore si mjet që fsheh objektin e vërtetë të konfliktit politik, pas “ambalazheve” gjuhësore të përdorura nga politikanët. Gjuha e politikanëve ka humbur sensin, elegancën, argumentin dhe është lëshuar brutalisht në “fushën e vet”. Madje tani lëviz e lirë, pa asnjë “censurë etike”, sepse ka dalë e lirë në qejfin e saj. Në vend të gjuhës që duhet të ketë argument politik mbushamendës, ne po përballemi me një “fjalamani” të tepërt, me abuzime të shëmtuara me faktet dhe të vërtetat, me shkelje të rregullave dhe standardeve të komunikimit politik.
Në historinë e politikës moderne, jo vetëm në Shqipëri, ka raste kur objekti delikat i një debati, mund të çojë në degjenerime të përkohshme të gjuhës politike. Por kjo që po ndodh në politikën tonë, është ndryshe. Nganjëherë të duket më shumë si qëllim në vetvete, ngaqë nuk ka aq “lëndë ontologjike”, që të justifikojë këtë gjuhë me logjikë politike sakate, të artikuluar keq, e cila jo vetëm po rëndon situatën e vet, por veçanërisht gjendjen psikologjike të qytetarit. Nuk është gjuhë politike ajo që kanë përdorur politikanët kundër njëri-tjetrit, sepse në esencë nuk kemi gjuhë që pasqyron të vërtetën politike, por një gjuhë që ka marrë forma të shëmtuara, dredharake, që nuk të tregon as thelbin e debatit, sepse është një gjuhë që nuk është e lidhur drejtpërdrejt me përmbajtjen e debatit dhe objektin e të menduarit, madje as me standardet elementare mbi të cilat duhet bazuar të folurit politik. Kjo e ka cenuar rëndë nevojën dhe detyrimin gjuhësor elitist të politikanëve.
Në politikën e sotme moderne ka një normë edukate gjuhësore, që politikës i vjen si imperativ kategorik i brendshëm, të paktën që nga koha e Aristotelit, sipas të cilit punët e shtetit dhe të politikës duhet të udhëhiqen nga ata që kanë edukim dhe formim sa politik, etik edhe gjuhësor. Politika është art i vështirë, sidomos kur duhet lufta për gjetjen e argumentit dhe përdorimin adekuat të gjuhës, sepse plotësimi i këtyre standardeve kërkon formim intelektual.
Politikanët tanë kanë filluar të flasin pa doganë, pa kujdes etik. Si qytetar i këtij vendi, mendoj se duhet frenuar kjo gjuhë banale, që nuk është natyrale apo organike, për të zhvilluar politikën në një vend të qytetëruar. Nuk është modeli gjuhësor i duhur që duhet përdorur, sidomos nga ata që udhëheqin punët e politikës në këtë vend. Por askush nuk beson se e keqja është vetëm këtu dhe problemet e ditës për politikën tonë janë vetëm “probleme gjuhësore”. Çështja është ca më e thellë. Por atmosfera gjuhësore që ka krijuar politika shqiptare, duke u marrë në frontin më të gjerë të mundshëm me banalitete, po ndikon shumë në deformimin e opinionit demokratik të qytetarëve, të cilët janë bombarduar me gjuhë politike banale, e fshehur në emër të moralitetit politik.
Kur politika flet pa përgjegjësi etike, kur ajo ashpërson gjuhën e komunikimit si qëllim në vetvete, doemos që edhe debati publik i qytetarëve, është i infektuar nga gjuha e politikës profesioniste, që ka filluar të deformohet, duke marrë formën e dërdëllitjeve konfliktuale banale dikotimike. Kjo gjuhë ka dhënë efektet negative, ka “rimilitarizuar” gjuhën e militantëve të bazës, ka shtuar fyerjet dhe shpifjet që kanë ndikim negativ në cilësinë e jetës publike. Natyrisht, politika është arenë e debatit dhe brenda saj politikanët edhe “ndeshen” me fjalë midis tyre.
Por nuk ka vlerë gjuha e politikanëve që nuk është e matur me kutin e arsyes, por që artikulohet me logjikën e urrejtjes dhe mungesës së arsyes. Në fund të fundit, politikanët duhet të zotërojnë jo “gjuhën e rrugës”, por gjuhën adekuate të politikës, jo artikulimin banal, të vrazhdë, të ngurtë, por gjuhën specifike të politikës së kulturuar. Kontrolli dhe zotërimi i “pushtetit” të jashtëzakonshëm të gjuhës politike, e cila është mjet që duhet përdorur, por jo duke e shpërdoruar, është shenjë e forcës dhe formimit qytetar, profesional dhe intelektual…
* Sociolog