Policia Kufitare e Vlorës, në bashkëpunim me efektivët e Guardia di Finanza, ka ndërhyrë me sukses për t’u ardhur në ndihmë dy shtetasve që kishin mbetur në det gjatë natës, si pasojë e një defekti në mjetin e tyre lundrues.
Ngjarja ndodhi brenda Gjirit të Vlorës, ku pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Triport, në koordinim me forcat italiane të Guardia di Finanza, organizuan një operacion kërkimi dhe ndihme. Skafi u lokalizua në zonën e “Plazhit të Vjetër”, ku pas ndërhyrjes u bë i mundur riparimi i defektit dhe shoqërimi i mjetit në mënyrë të sigurt drejt stacionit bregdetar.
Nga verifikimet e kryera, rezultoi se drejtuesi i mjetit nuk kishte me vete dokumentacionin përkatës për lundrim. Për këtë arsye, ndaj tij u vendos një masë administrative prej 10 000 lekësh, në zbatim të legjislacionit në fuqi.
 
	    	














