Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka mohuar akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha se administrata e Bashkisë po djeg dosje. Ajo e cilësoi këtë pretendim si një shpifje dashakeqe, duke theksuar se dokumentet e institucionit ruhen me rigorozitet të plotë në arkivat zyrtare.
Sipas Ristanit, akuzat janë pjesë e një fushate politike dhe nuk bazohen në fakte apo prova konkrete. Ajo deklaroi se Bashkia e Tiranës ka qenë shpesh objekt i akuzave të pabaza, por ka vijuar punën pa u ndalur nga këto sulme. Në reagimin e saj, Ristani ironizoi pretendimet për djegien e dokumenteve, duke i quajtur një skenar të denjë për një shfaqje televizive.
Ajo siguroi qytetarët se çdo shkresë e administratës ruhet në arkiva sipas protokolleve të përcaktuara me ligj dhe se Bashkia nuk i trembet këtyre akuzave. Për më tepër, Ristani ftoi kritikët e institucionit të vazhdojnë me denoncime të pabaza, duke i quajtur përpjekje për të krijuar një realitet imagjinar.
Reagimi i plotë:
Lajmi i shpërndarë me dashakeqësi ditën e djeshme se Bashkia e Tiranës po zhduk prova dhe dokumente, është i pavërtetë. Ne në Bashkinë e Tiranës nuk çuditemi më nga asgjë, nga askush, që na akuzon pa prova, pa fakte, pa arsye tjetër përveç interesave politike. Që nga këndi i lodrave tek liqeni ku u akuzuam se do te ndërtonim kulla midis të tjerash, deri te zhvendosja e Shkollës “Sami Frashëri” që na la të gjithëve gojëhapur, kemi parë dhe kemi dëgjuar lloj lloj çudirash, aq shumë dhe aq shpesh sa përgjigja ka qenë vetëm një: Vijojmë punën!
Por asnjëherë, në asnjë rast, nuk harrojmë se i detyrohemi qytetarëve, sqarimet përkatëse kur nivelet e shpifjes dhe të lajmeve tronditëse dhe krejtësisht të rreme përhapen nga kanale mediatike dhe arrijnë nivele të tilla përndotjeje.
Bashkia e Tiranës akuzohet se djeg dhe zhduk kamionë me dokumente në mes te ditës në sytë e një zonje që është punësuar nga Partia Demokratike për t’u stacionuar në trotuarin përpara bashkisë dhe në praninë e TV Syrit të po së njëjtës Parti.
Natyrisht që kjo është një marrëzi e një niveli të denjë për shfaqje seriale, ku nuk mungon as aksioni as satira, por nuk mungon as trishtimi dhe ky i fundit është për ata qytetarë që nuk e kanë kusur për t’u helmuar me trillime, të ndryshëm nga ata që shpifja dhe gënjeshtra i ushqen përditë, por nuk i ngop kurrë. Për të dy kategoritë na vjen thellësisht keq.
Por për ëdo rast, Bashkia e Tiranës siguron opinionin publik me përgjegjësi të plotë se çdo shkresë e jetës institucionale të saj, ruhet me rigorozitetin më të madh në arkivën tonë, i cili në përmbushje të ligjeve përkatëse është i vendosur në një objekt jashtë godinës qendrore dhe plotëson kushtet e ruajtjes dhe sigurimit sipas një protokolli të mirëpërcaktuar.
Në përgjigje të kërcënimeve për denoncimin e radhës për këtë krim të ri imagjinar, ne u themi të gjithë kundërshtarëve dhe përndjekësve politikë e mediatikë të Bashkisë së Tiranës se jeni mëse të mirëseardhur për t’u bërë qesharakë. E të tilla probleme imagjinare paçim, pasi në një qytet me 1 milionë banorë, e më shumë miliona vizitorë, problemet me të cilat përballemi çdo ditë dhe hallet për t’u zgjidhur nuk janë aspak qesharake dhe ne i marrim me të gjithë seriozitetin e mundshëm.
Ne nuk jemi trembur as nga letrat anonime, as nga ato me autorë dhe as nuk do të trembemi nga të tilla denoncime, për asnjë arsye tjetër përveç punës që na ka nderuar e na e mban kokën lart dhe shikimin në sy për çdo qytetar të këtij qyteti që nuk do të ndalet.