Gjashtë marinarë u rrëmbyen kur piratët sulmuan një anije me ekuipazh rus. Ngjarja ka ndodhur në brigjet e Beninit në Afrikë dhe u konfirmua nga Agjencia Ruse e Transportit Detar, shkruan RT. Një grup prej shtatë deri në nëntë personash sulmuan me armë zjarri anijen ‘MSC Mandy’.
Piratët e plaçkitën anijen për dy orë përpara se të dilnin dhe të merrnin gjashtë prej marinarëve që ndodheshin në bord.
Ambasada ruse, duke cituar Marinën e Beninit, thotë se në bordin e anijes ishin 26 persona: 20 rusë, katër ukrainas dhe dy gjeorgjianë.
Sulmi thuhet se ndodhi në mesnatë, rreth 55 milje nga Cotonou, një qytet i madh në jug të Beninit.
Pas sulmit, anija MSC Mandy u drejtua në portin e Lagos dhe pritet të lundrojë më tej në Cotonou, nën drejtimin e një ekuipazhi zëvendësues.
Anija aktualisht është ankoruar në Gjirin e Guinesë.
Zona jashtë brigjeve të Beninit dhe Nigerisë fqinje konsiderohen ujëra me rrezik të lartë.
Ndërkohë diplomatë rusë në Nigeri dhe Benin po punojnë për lirimin e detarëve të kapur, raportoi RIA Novosti./gazetaexpress