Gjithsecili përpiqet aq shumë për të lënë një përshtypje të mirë tek të tjerët, sa që shpesh kjo e fundit mund të jetë mashtruese, sa i përket llojit të personit që ata janë vërtet. Këto përshtypje të para të rreme, mund të na bëjnë të ndihemi të lëkundur ose të mashtruar nga njerëzit që menduam se i kishim miq, apo se e ndjenim se qenë të rëndësishëm për ne.
Ne ndodhemi vazhdimisht në mesin e njerëzve, dhe është në natyrën njerëzore njohja e njerëzve të ndryshëm në situata të ndryshme sociale. Ne përpiqemi t’i njohim njerëzit, kështu që kur nuk janë ata që ne mendonim se ishin, kjo mund të jetë zhgënjyese. Është e lehtë të joshesh nga hijeshia dhe besimi, por kur ne e njohim vërtet një person, ai mund të jetë krejtësisht i ndryshëm, nga ajo që ne mendonim se ishte në momentin e parë.
Por, ka një zgjidhje. Në vend se të mashtroheni nga përshtypjet e para të rreme dhe mbilerësoni karakteristikat pozitive, ekzistojnë 7 mënyra përmes së cilave ju mund të vlerësoni shpejt dhe drejt personalitetin e dikujt, pa u vënë re. Nëse po synoni të takoni njerëz të rinj, apo edhe të punësoni një punonjës të ri në biznesin tuaj, këto aspekte të thjeshta mund t’iu ndihmojnë të zbuloni personalitetin e tyre të vërtetë, pavarësisht përshtypjes së tyre të parë.
1. Si ju bëjnë të ndiheni?
A ju bëjnë të ndiheni të ngrohtë dhe të lumtur, apo në ankth dhe të zënë ngushtë? Është krejtësisht e natyrshme të shijojmë vlerësimin dhe komplimentet, ato na krijojnë një ndjenjë të ngrohtë të shoqërisë me disa njerëz të caktuar, dhe kjo është e rëndësishme për të zhvilluar një miqësi të vërtetë. Megjithatë, ne ndihemi kështu vetëm nëse mendojmë se ato fjalë janë të vërteta.
Nëse ndiheni sikur personi që keni përballë po u flet me një motiv të mëvonshëm, atëherë qasuni me kujdes, pasi mund të përfundoni duke u ndjerë në siklet dhe të keqpërdorur më vonë. Nëse kjo është mënyra se si ndiheni, atëherë është më mirë të distancoheni nga ky person, pasi më vonë mund të lindin probleme më të mëdha.
2. Sa kohë mund të kaloni me ta?
Kur ne lidhemi vërtet me dikë, kënaqemi kur kalojmë kohë me të, dhe në fakt është e lehtë të kalosh shumë kohë me dikë pa e vënë re. Nëse ndiheni sikur koha fluturon kur jeni me një person të caktuar, atëherë jeni një person me fat, pasi lidhje të tilla janë të pakta. Nëse ndiheni sikur kalimi i kohës me ta është një lloj detyrimi, ose merreni shumë pak vesh me njëri-tjetrin, atëherë ndoshta duhet të rivlerësoni situatën, dhe sesa e vërtetë është miqësia juaj .
3. Sa dëgjojnë dhe sa flasin?
Gjatë një bisede, ne duam të ndjehemi sikur pikëpamja jonë po dëgjohet, dhe mendimet tona merren në konsideratë. Nëse ndjeni se personi që keni përballë ju dëgjon vërtet, atëherë ai është i sinqertë dhe i kujdesshëm. Është e rëndësishme të dëgjohen njerëzit, ashtu si zëri i mendimeve tuaja. Por nëse ndiheni sikur personi që ke përballë thjesht kënaqen me tingullin e zërit të vet, atëherë kjo është një histori tjetër.
Tipat qe flasin shumë, zakonisht nuk janë të gatshëm të dëgjojnë të tjerët, dhe mendojnë se mendimet e tyre janë më të rëndësishme. Dhe ai ndoshta nuk është personi me të cilin do të dëshironit një lidhje kuptimplote, dhe pa dyshim dikush që nuk mund të reagojë mirë në një situate të tensionuar brenda stafit të punës.
4. A është mirësia e tyre e rrënjosur?
Veprimet e sjellshme i bëjnë që të gjithë të ndihen mirë, por ato mund të jenë një mjet që përdoren për ta bërë dikë të duket i mirë. Njerëzit realisht të sjellshëm do të zbukurojnë ditën tuaj dhe do t’ju bëjnë të qeshni, vetëm për shkak se ata e duan diçka të tillë. Por të tjerët mund të përdorin një lloj dashamirësie të dukshme, për të lënë një përshtypje të pare të mirë ose për të arritur një qëllim më të lartë, dhe ky nuk është personi që do të donit të kishit vërdallë.
Nëse mendoni se një gjest bëhet për t’iu bërë përshtypje ose për t’iu bindur për diçka, atëherë ndoshta lipset të jeni pak më i kujdesshëm ndaj veprimeve të ardhshme, dhe mbi atë se çfarë mund të jenë duke u përpjekur të arrijnë këta njerëz tepër të mirë.
5. Veprimet apo reagimet e tyre?
Ju mund të thoni të njëjtën gjë për 5 njerëz, dhe të merrni 5 reagime dhe rezultate të ndryshme. Në një situatë pune, mund të reagoni dhe të prisni veprime mbi reagimin tuaj, dhe nëse kjo ndodh, atëherë keni gjetur një punonjës model. Nëse thjesht merrni një reagim, qoftë nëse përpiqet të shpjegojë një gabim apo zemërimin e tij, kjo do të dalë shumë shpejt në pah, dhe ai nuk është njeriu ideal për situatat në punë. Në situata sociale, ju mund të kërkoni ndihmë, por nëse merrni vetëm reagime, ky nuk është lloji i miqve që do t’iu ndihmojnë vërtetë. Siç thuhet shpesh, veprimet flasin më shumë sesa fjalët.
6. Gjuha e trupit
Gjuha e trupit është instiktive, dhe ndodh para se të mund ta kontrollojmë atë. Gjuha e mbyllur e trupit, është një shenjë treguese që dikush qëndron në pozita mbrojtëse ose është i rezervuar për diçka, dhe nëse është kështu, atëherë mund të parashtroni pyetjen se çfarë mund të jetë duke fshehur. Gjuha e hapur e trupit dhe fytyrat e qeshura, e bëjnë shumë më të lehtë krijimin e një lidhje dhe zhvillimin e një marrëdhënie, pasi të dyja palët ndihen shumë më rehat dhe të hapur me njëri-tjetrin.
7. Reagimi juaj i brendshëm
Në fund të fundit, mënyra më e mirë për ta gjykuar një person, është nga reagimi juaj i brendshëm ndaj sjelljeve të tyre. Nëse ndiheni skeptik për diçka, atëherë ndoshta ka një arsye të fortë se pse ndiheni në këtë mënyrë. Mund të jetë e vështirë të lidheni me njerëz të vërtetë në ditët e sotme, pasi gjithçka bazohet tek komunikimi online, dhe madje edhe takimet e vërteta mund të jenë një dështim në rast se qëllon personi i gabuar.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce