Ministrja Elisa Spiropali ka komentuar sot rastin e shëmtuar të përdhunimit të një të mitureje në Kavajë. Teksa ka dënuar këtë ngjarje shokuese, ajo ka analizuar edhe qëndrimin e PD, e cila sipas saj, po e përdor politikisht. Spiropali e gjen të pavend reagimin e kësaj force, ndërsa beson se drejtësia do të japë verdiktin e duhur final.
“Rast tmerrësisht i rëndë që duhet hetuar deri në fund. Ajo që ndodh me përdorimin e këtij rasti, nuk u besoja syve kur pashë deklaratën e PD, është dëshmi e qartë e dëshpërimit opozitar.
Policia e Shtetit në rastin konkret, sapo mori denoncimin, ka filluar menjëherë hetimin. Personat e përfshirë janë duke u hetuar nga Prokuroria që do bëjë detyrën e saj. Agjencia për mbrojtjen e fëmijëve e kanë marrë vajzën nën kujdes.
Raste të tilla ndodhin kudo edhe në Amerikë, bëhen edhe filma, por kurrë asnjë parti nuk del në këto vende për ta gjetur fajtorin, shkaqet dhe pasojat te qeveria”, tha Spiropali.