Sot në orën 11:30, në ambientet e shkollës 9-vjeçare Shkolla 9-vjeçare ‘Fan S. Noli’ do të vendoset një simbol përkujtimor në nder të 14-vjeçarit Martin Cani, i cili humbi jetën në nëntor 2024 pas një sherri me thikë.
Në pllakën përkujtimore është gdhendur mesazhi:
“Për Martinin që iu prenë ëndrrat në mes! Të mos harrojmë!”
Në ceremoni do të jenë të pranishëm edhe prindërit e tij, Engjëll dhe Florina Cani.
Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë ka dhënë dakordësinë për vendosjen e simbolit në ambientet e shkollës, në kujtim të nxënësit.
Kjo nuk është nisma e parë për ta përkujtuar. Në nëntor 2025, në një fushë sportive u vendos edhe një pllakë metalike me portretin e tij, të realizuar me lazer.
Ngjarja tragjike ndodhi më 18 nëntor 2024, pas një konflikti mes bashkëmoshatarësh që kishte nisur brenda shkollës për motive banale. Pas një debati të parë, që u ndërpre nga roja i sigurisë, të miturit u takuan sërish pas mësimit pranë oborrit të shkollës, ku sherri përfundoi në mënyrë fatale.
Martin Cani humbi jetën, një tjetër i mitur mbeti i plagosur, ndërsa autori, po ashtu i mitur, u vetëplagos me të njëjtën thikë.
Në dhjetor, gjykata e dënoi autorin me 16 vite heqje lirie për vrasje dhe vrasje të mbetur në tentativë.
Një ngjarje që tronditi opinionin publik dhe që sot kujtohet me mesazhin: të mos harrojmë.















