Detaje tronditëse dalin në dritë në lidhje me vdekjen tragjike të 26-vjeçares shqiptare në Itali. Familjarët e Anila Grishajt shprehen të tronditur për ngjarjen, ndërsa thonë se askush nuk i njoftoi për ngjarjen e rëndë.
“Ne ishim të fundit që e morëm vesh, është turp, duhet të ishim të parët. Për dy orë nuk na thanë asgjë, e morëm vesh nga faqet e internetit”, u shpreh motra e madhe e viktimës.
Kjo është arsyeja e tensioneve jashtë kompanisë së prodhimit të ushqimeve të ngrira “Bocon” në Pieve di Soligo, ku familja dhe miqtë u mblodhën atje për të për të parë Anilën.
“Duam drejtësi, duhet të na japin shpjegime!”, thotë një kushëri i viktimës.
Dyshohet se shkaktar i vdekjes së 26-vjeçares shqiptare është një koleg i saj. Anila Grishaj raportohet se ishte nëndrejtoreshë e kompanisë dhe po monitoronte funksionimin e një makinerie që mbërriti në kompani pesë muaj më parë, e cila mbështjell produktet e gatshme me celofan për transport.
Dyshohet se ajo i ishte afruar paletës për të kontrolluar dhe në atë moment një punëtor tjetër, i cili nuk e pa viktimën që ndodhej tek makineria, e rindezi atë. Në momentin që makineria u ndez i goditi kokën viktimës, duke i shtypur rruazat e qafës. Prokurorja e çështjes, Françeska Torri, ka nisur hetimet për vrasje nga pakujdesia ndaj kolegut të saj që ndodhet në gjendje shoku.
Anila ishte fejuar me një djalë nga Susegana ata po mendonin për një jetë së bashku, por ajo ëndërr u ndërpre në mes. “Thanë se ishte një nga makineritë më të sigurta, kushtonte miliona. Ata duhet të na tregojnë pse ajo vdiq duke bërë punën e saj. Aty ndihej mirë, kishte një rol të mirë. Ne duam që drejtësia të vendoset”, tha një kushëri i saj.