Kreu i PD, Sali Berisha në një konferencë me gazetarët reagoi për herë të parë, pas daljes publike të ish-presidentit Ilir Meta, ditën e djeshme, 27 prill.
Në seancën e djeshme ndaj tij, Meta u shfaq për herë të parë publikisht pas rreth 18 muajsh paraburgim… dhe, pas kafazit të xhamit në seancë, u vu re një ndryshim drastik në pamjen fizike të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Berisha e cilësoi mënyrën e paraqitjes së Metës në sallën e gjyqit si “trajtim çnjerëzor” dhe e interpretoi atë si një akt hakmarrjeje politike nga qeveria, duke ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama.
“Ish-presidenti i Republikës, ish-kryetari i parlamentit dhe ish-kryeministri i vendit, Ilir Meta, aktualisht kryetari i partisë së dytë më të madhe opozitare, Partisë së Lirisë, i burgosur politik, u paraqit dje në sallën e gjyqit i ndryrë në kafaz xhami sikur të ishte një terrorist i rrezikshëm, ndonëse ndaj tij nuk ekziston asnjë provë e faktuar për një vepër penale të çdo natyre qoftë ajo.
Ky akt çnjerëzor brutal, i urdhëruar direkt nga Edi Rama, riktheu para shqiptarëve skenat e gjyqeve politike staliniste të Enver Hoxhës, babait shpirtëror të Edi Ramës, dhe skulptorit xhelat, Kristaq Rama, babait biologjik të Edi Ramës.
Ky akt hakmarrës i verbër nuk është një qëndrim i rastit dhe as i izoluar ndaj ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish-kryetarit të parlamentit, zotit Ilir Meta. Në tetor të vitit 2024, me urdhër direkt të Edi Ramës, Ilir Meta u arrestua nën filmim, tek hynte në Tiranë, nga policia pa i paraqitur asnjë fletë arresti. Ai u nxor me forcë në rrugë nga makina me të cilën udhëtonte nën mbrojtjen e Gardës së Republikës, u tërhoq zvarrë dhe u godit para kamerave nga policë të porositur për aktin e tyre dhe si person nën hetim u dërgua në burg”, tha Berisha.
Sipas tij, vendosja e Metës në një “kafaz xhami” gjatë seancës dhe mënyra e ndjekjes së procesit përbëjnë, sipas opozitës, shkelje të të drejtave themelore dhe një praktikë që i ngjan metodave të së shkuarës politike në vend. Berisha kërkoi gjithashtu ndërhyrje ndërkombëtare, duke e konsideruar çështjen si problem të trajtimit të opozitës dhe të standardeve të drejtësisë në vend.
“Gjatë këtyre 17 muajve në burg, si person nën hetim dhe në kundërshtim me Kushtetutën, ndaj Ilir Metës, është ushtruar dhunë dhe terror psikologjik periodik, madje edhe fizik. Janë organizuar provokacione ndër më të ulëtat dhe më të rrezikshme.
I janë dhunuar të drejtat kushtetuese më elementare. Partia Demokratike denoncon dhe dënon me forcën më të madhe arrestimin, paraburgimin, qëndrimet çnjerëzore në burg dhe në sallën e gjyqit, të urdhëruara direkt nga Edi Rama, bastardi i bllokmenëve hoxhistë ndaj kryetarit të PL, Ilir Meta dhe kërkon lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi.
PD i bën thirrje Komitetit Antitorturë të Këshillit të Europës të ndërhyjë me urgjencë ndaj akteve të hakmarrjes primitive antikushtetuese ndaj Ilir Metës të Edi Ramës, armik i egër i pluralizmit politik dhe Ramaduro i parë dhe i vetëm në Europë”, u shpreh më tej Berisha.














