Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Kristian Panuçi ka folur menjëherë pas ndeshjes, të cilën e cilësoi si pozitive por loja me topa të gjatë për të është e rrezikshme.
Duke iu referuar ndeshjes pasardhëse ndaj Maqedonisë në Strumica, Panuçi vuri në dukje se në këtë sfidë do të ndryshojë tërësisht skemën.
“Lojtarët u treguan seriozë dhe të përqendruar. Ne nuk e patëm të lehtë, sepse vuajtëm ta gjenim golin dhe kjo na tensionoi disi. Megjithatë, skuadra u tregua e zonja dhe jam i kënaqur për rezultatin. Morëm atë që deshëm. Unë kam dëshirë që skuadra të luajë mirë futboll dhe nuk më pëlqen loja me topa të gjatë. Nuk kam dëshirë të luaj në atë formë. Kundër Maqedonisë do të ndryshojë diçka. Të shohim se çfarë do të ndryshojmë, por tani duhet të shijojmë këtë fitore”, tha trajneri menjëherë pas ndeshjes në RTSH.