Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se droga e kapur në Itali prej 2.3 tonësh tregon hapur përrallat e kryeministrit Rama në luftën kundër këtij fenomeni.
Basha shpjegon se projekti i Ramës përmblidhet në një katër aspekte; PS + drogë + kriminelë + korrupsion, që përplotësojnë njëra-tjetrën.
Sipas Bashës, trumbetimi i kryeministrit Rama për luftë kundër drogës është vetëm një mashtrim me qëllim tulatjen e qytetarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar.
“Ai mbron dhe promovon kokat e krimit të organizuar dhe bashkëpunëtorët e tyre politikë. Ky në fakt është projekti “PS+” i shpallur prej tij: PS+drogë+kriminelë+korrupsion”, shkruan Basha në profilin e tij në Facebook.
Duke iu referuar zgjedhjes së Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit Basha thekson se që nga viti 2005 qeveria amerikane i refuzon Ruçit hyrjen në SHBA për shkak të lidhjeve me krimin e organizuar. Ndërsa sai përket zgjedhjes së Fatmir Xhafajt në krye të Ministrisë së Brendshme, Basha thotë se ky i fundit është i përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga drejtësia italiane për trafik ndërkombëtar kokaine.
“Opozita do të bëjë çdo përpjekje për ta vënë atë para përgjegjësisë personale për drogën dhe krimin. Por kjo betejë kërkon edhe përpjekjet e medias, intelektualëve dhe të gjithë qytetarëve. Të gjithë duhet të ngremë zërin dhe të ngrihemi kundër rrezikut të drogës para se të jetë vonë”, shkruan Basha.