Gjykata e Tiranës la në burg ditën e djeshme Daniel Drobajn. 18- vjeçari dyshohet se hodhi kapsollën në drejtim të efektives së plagosur, Ina Nuka, gjatë protestës përpara Kuvendit.
Daniel Drobaj në Gjykatë me dorë të thyer on Vidnews.
Seanca gjyqësore nisi me probleme, pasi deputetë të opozitës kërkonin të hynin brenda. Ndërkohë seanca ishte parashikuar të zhvillohej me dyer të mbyllura. Për këtë arsye, gjyqtari Besnik Hoxha u detyrua të ndërronte sallën e zhvillimit të seancës.
18-vjeçari Daniel Drobaj u shfaq më pas në kafaz, duke treguar edhe njërën dorë të fashuar drejt kamerave.
Ai pretendon se është dhunuar nga oficerët e Policisë gjatë shoqërimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Drobaj gjithashtu e ka mohuar akuzën, duke pretenduar se nuk ka hedhur asnjë kapsollë në drejtim të Policisë. Avokati i tij mbrojtës kërkoi lirimin e Drobajt, pasi ai duhet të ndjekë edhe studimet në Inxhinierinë e Ndërtimit. Mbrojtësi ligjor paraqiti edhe disa dëftesa notash të të arrestuarit, notat e të cilave tregojnë sipas tij që i riu është i përkushtuar në studime.
Megjithatë, asnjë nga këto nuk mjaftoi, pasi gjyqtari Besnik Hoxha vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për vendosjen e masës së sigurisë “Arrest me burg” për Daniel Drobajn.
Dëshmia
Ky i fundit ka deklaruar se të enjten e shkuar kishte dalë të protestonte si banor i zonës ku pritet të zgjerohet “Unaza e Re”.
Ai ka pranuar se ka pasur me vete atë ditë tri kapsolla, por i ka hedhur ato pranë një llamarine që rrethon objektin në ndërtim të Xhamisë së Namazgjasë.
Gjithashtu, Drobaj ka dhënë versionin e tij edhe për videon kur shihet se përleshet me disa efektivë të Policisë. Sipas tij, efektivët kanë dashur ta shoqëronin në mënyrë të padrejtë dhe ai ka kundërshtuar. Më pas kanë ndërhyrë disa deputetë të opozitës dhe ai është larguar për t’u arrestuar 24 orë më pas.
Në të njëjtën linjë ishte edhe avokati i tij, ku pas seancës tha se arrestimi ishte i padrejtë dhe se nuk ka prova që Drobaj ka hedhur kapsollën që i këputi dy gishtërinj efektives së Policisë, Ina Nuka.
Daniel Drobaj u bë protestuesi i 12 që u arrestua nga Policia në fundjavë, pasi akuzohet se ka plagosur efektiven e Policisë, Ina Nuka, gjatë protestës që degjeneroi në dhunë përpara Kuvendit.
Ai është mes banorëve të zonës së “Unazës së Re” q,ë kundërshtojnë projektin e zgjerimit të rrugës pa marrë dëmshpërblimet për banesat që shemben. Nga ana tjetër, efektivja Ina Nuka është dërguar në Ankara për mjekim më të specializuar, ku pritet që të ndërhyhet për rikuperimin e mundshëm të gishtërinjve të humbur./Panorama/