Ndeshja Inter-Napoli që për nga ana sportive përfundoi me rezultatin 1-0 për skuadrën zikaltër, por nga rendi publik degjeneroi në dhunë dhe kaos ku mbeti i vdekur një tifoz, ndërsa racizmi dhe diskriminimi ishin përgjatë gjithë ndeshjes në “San Siro” ndaj mbrojtësit të Napolit, Kalidou Koulibaly.
Përpara se të fillojë ndeshja, në rrugët e Milanos, më saktë në rrugën “Via Novara” pati trazira të mëdha, aty ku ultrasit e Inter (ata të përjashtuar për të hyrë në stadium), ata të Varese dhe Nice ndaluan minibusët e tifozëve të napolitanë dhe i sulmuan me thika, hanxharë, shkopinj e leva ku për pasojë mbeten 4 tifozë të plagosur, ndërsa në tentativë për të ikur një minibus përplasi për vdekje tifozin e Inter, Daniele Belardinelli, 35 vjeç.
Ai ishte pjesë e tifogrupit ekstremist të Vareses dhe ishte përjashtuar nga stadiumet italiane për 5 vjet si pasojë e trazirave të ndryshme. Viktima gjithashtu mësohet të jetë mik i ultrasit fashist të Interit, shqiptarit nga Lezha, Landi Gjoni. Landi dhe Daniele kanë qenë pjesë e grupimit “Blood & Honour”.
Tifozët e Vareses kanë binjakëzim me ata të Interit dhe shpesh herë kanë qenë të pranishëm në “San Siro”, ndaj edhe 35-vjeçari mori pjesë në sherrin që i mori dhe jetën.