“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri vazhdon të luajë një rol dinamik dhe të spikatur në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, së bashku me partnerët shqiptarë, në terren, duke i bashkuar komunitetet rreth vlerave dhe synimeve të përbashkëta.
Ne qëndrojmë në krah të qytetarëve dhe të institucioneve të vendit”, tha zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton.
Ai u shpreh kështu në takimin “Qytetet e Forta kundër ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri”, i cili po mbahet më 27 dhe 28 Prill në Tiranë, i bashkëorganizuar nga Prezenca e OSBE-së, Shoqata Ndërkombëtare për Menaxhimin e Qyteteve / Rajoneve (ICMA) dhe nga Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështjet e Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm të Republikës së Shqipërisë.
Përveç zëvendëskryetarit të Prezencës, Wilton, mbajtën fjalën e rastit në hapje të kësaj veprimtarie edhe Agron Sojati, Koordinatori Kombëtar për Çështjet e Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm dhe, Vera Orloff, drejtore projekti pranë ICMA.