Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë këtë të martë, më 28 prill, vendimin për tre personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Ura”, që goditi një rrjet të trafikut të drogës drejt Italisë.
Kështu, sipas njoftimit nga GJKKO, trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Engjëllushe Tahiri dhe Elsa Ulliri kanë dënuar me 1 vit e 6 muaj burg të pandehurin E.Ç alias E.Gj, për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim ulet në 1 vit burg.
Mirëpo, për shkak se kohëzgjatja e paraburgimit të vuajtur është më e madhe se masa e dënimit të caktuar, është urdhëruar heqja e masës së sigurimit “Arrest në burg” dhe ai është lënë i lirë.
Ndërkohë E.D është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim dhe është dënuar me dy vjet burgim. Ky dënim ulet në 1 vit e katër muaj për shkak të gjylimit të shkuartuar.
Edhe i pandehuri i tretë B.M, është shpallur fajtor, për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, duke marrë të njëjtin dënim. Dy vjet burgim, që shkurtohet në 1 vit e 4 muaj. Ky vendim i pezulluar përfundimisht, duke u konvertuar në shërbim prove për një periudhë prej 2 vitesh e 8 muajsh.















