Borxhet e shumta dhe mungesa e gatishmërisë për t’i paguar ato, kanë bërë që kosovarit 59 vjeçar t’i shqiptohet masa e dëbimit nga Zvicra, edhe pse ka mbi 30 vjet që jeton këtu.
Ai kishte ardhur në Zvicër në vitin 1981 si punëtor sezonal, ndërsa pas martesës që kishte bërë në vitin 1985, e kishte fituar edhe lejen e qëndrimit në këtë vend, shkruan tagblatt.ch. Kosovari ka tre fëmijë të rritur, të cilët jetojnë në Zvicër.
Pas vdekjes së gruas, ai në vitin 2012 ishte martuar në Kosovë me një shtetase bullgare, transmeton albinfo.ch. Nisur nga gjendja e tij e rëndë financiare, Zyra Kantonale për Migracion, në vitin 2013 kishte refuzuar t`ia ndante bashkëshortes së tij të re lejen e qëndrimit në Zvicër. Borxhet e shumta ishin po ashtu shkaku që autoritetet në vitin 2015 nuk pranuan t`ia bënin vazhdimin e lejes së qëndrimit edhe atij vetë.
Zyra në fjalë me atë rast i ishte referuar Regjistrit të Zyrës së Përmbarimit (Betreibungsregister), në të cilën ai ishte i regjistruar 30 herë si borxhli, me një borxh të gjithëmbarshëm prej 92.000 frangash. Krahas kësaj, ndaj tij janë lëshuar edhe disa urdhëresa tjera për shlyerje të borxhit, transmeton albinfo.ch. Për shkak të këtyre borxheve, atij i është tërhequr vërejtja tri herë, por ai nuk kishte ndryshuar sjelljet e veta.
Pasi që të gjitha instancat në nivel kantoni e kishin shpallur fajtor, kosovari kishte bërë ankesë edhe në Gjykatën Federale. Në ankesën e tij ai kishte argumentuar se hyrja e tij në borxhe nuk kishte ndodhur “me dëshirë” dhe se ai kishte bërë çdo gjë që ishte në fuqinë e tij për t`i shlyer ato. Pastaj, dëbimi, ose kthimi në Kosovë, nisur nga mosha që ka dhe nga një infarkt që ka pësuar së fundi, nuk është masë e duhur, mendon ai. Kjo aq më tepër pasi që duhet të mbahet parasysh se ai jeton prej më shumë se 30 vitesh në Zvicër dhe fëmijët e tij janë rritur këtu, përcjell albinfo.ch. Madje ai vetë është i integruar këtu dhe nuk ka më lidhje me Kosovën.
Gjykata Federale në përgjigjen e saj ka pranuar se fakti i pasjes së borxheve të shumta si i tillë, nuk është i mjaftueshëm për shfuqizimin e lejes së qëndirmit dhe për dëbimin e dikujt nga Zvicra. Por gjykata e arsyeton vendimin e instancave kantonale për dëbim në rastin konkret me faktin se 59 vjeçarit i ishte tërhequr vërejtja tri herë, me ç`rast i ishte kërkuar që të shlyente borxhet. Por ai, në vend se të përmirësonte gjendjen e tij financiare, hynte në borxhe të reja. Kështu, as Gjykata Federale tashmë nuk beson në përmirësimin e situatës në këtë drejtim, transmeton albinfo.ch. Para kësaj, edhe Gjykata Administrative e St. Gallenit kishte konstatuar se ekzistonte një interes publik që kosovarit t`i merrej leja e qëndrimit me qëllim mbrojtjen e kreditorëve të ardhshëm.
Ndërkaq, sipas vendimit të Gjykatës Federale, dëbimi i tij, përkundër qëndrimit mbi 30 vjeçar në Zvicër, është adekuat, pasi që kosovari nuk i ka ndërprerë lidhjet me vendlinjen e tij. Duke qenë se ai atje ka të afërm, pas kthimit mund të llogarisë se do të krijojë një rreth shoqëror dhe të jetojë atje.