Sot në qytetin e Durrësit nis edicioni i tetë i Bienales së “Netëve të Muzikës Klasike”, i cili do të vazhdojë për tetë mbrëmje radhazi me koncerte në Muzeun Arkeologjik, në kishën “Shën Luçia” dhe në Teatrin “Aleksandër Moisiu” të qytetit bregdetar.
Në Amfiteatrin antik është organizuar dje një konferencë për shtyp, gjatë të cilës drejtori artistik i Bienales, Florian Vlashi tha se “përveç artistëve shqiptarë, në këtë edicion janë përfshirë edhe instrumentistë nga Franca, Ukraina dhe Spanja. Ata së bashku me Florianin do të interpretojnë “Kuartetin për fundin e kohëve”, një vepër Olivier Mesiaen shkruar dhe ekzekutuar në kampin nazist të përqendrimit në vitin 1941”.
Gjithashtu në një nga koncertet do të luhen edhe vepra të autorëve vendas të persekutuar si Palok dhe Lec Kurti, etj.
“Shtatë fjalët e fundit të Krishtit në kryq” me tekste të Nënë Terezës do të jenë në qendër të koncertit të organizuar në kishën “Shën Luçia” të Durrësit. Po ashtu është projektuar dhe organizimi i një nate kushtuar muzikës pianistike me Duon Gaqi.
“Nata e Yjeve të Rinj” do të sjellë në skenë nxënësit e shkollës artistike “Jan Kukuzeli”, ku janë përgatitur edhe violinisti Florian Vlashi dhe bashkëshortja e tij Rediana Lukaçi, së bashku me djalin violonçelist, Martinin 13-vjeçar.
Edicioni i tetë i Bienales, i cili shënon fillimet e tij në vitin 2003, do të hapet nesër me Orkestrën Rinore të Durrësit, e cila në “Natën e Muzikës Baroke” do të interpretojë disa vepra nga J. S. Bach.