Çudia më e fundit shqiptare këtë herë vjen nga Kosova. Në listat zgjedhore rezultojnë rreth 615 mijë votues më shumë se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote.
Kështu, janë rreth 1.9 milion shtetas që kanë të drejtën e votës në Kosovë, ndërsa sipas statistikave, Kosova nuk ka as 1.8 milion banorë.
Kjo “fryrje” e numrit të votuesve vjen për shkak të mospastrimit të listave zgjedhore në vend, proces ky që ka dështuar në vazhdimësi që nga paslufta. Për rrjedhojë, në të kaluarën kanë ndodhur manipulime të mëdha me votën.
Por, kryetarja e KQZ-së në Kosovë, Valdete Daka, tha për gazetën “Zëri” se listat zgjedhore në këtë proces zgjedhor të parakohshëm janë të pastruara:
“Kjo është një çështje e cila në çdo zgjedhje diskutohet, po ata janë të gjithë votues dhe i përfshin të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët janë të regjistruar në regjistrin civil, sepse ne e marrim ekstraktin nga regjistri civil. Aty janë të përfshirë të gjithë diaspora dhe të gjithë qytetarët të cilët janë të regjistruar, ata kanë edhe të drejtë vote”.
Ndërkohë, këtë e ka kundërshtuar Mytaher Haskuka, i cili ka qenë deputeti i partisë më të madhe opozitare, lëvizja “Vetëvendosje”, në legjislaturën e fundit. Ai thotë se nëse bëhet një përllogaritje e thjeshtë del se në listat zgjedhore janë 615 mijë persona më shumë sesa që ka banorë Kosova.