Nga Gabriel Hetland “The Guardian”/ Duke e shpallur veten president të Venezuelës ditën e mërkurë, Huan Guaido e ka çuar vendin buzë humnerës. Veprimet e udhëheqësit deri më stani të panjohur të opozitës, të cilat duket se janë të koordinuara ngushtësisht, në mos janë të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara, kanë vënë në lëvizje një zinxhir ngjarjesh të rrezikshme.
SHBA-ja e njohu Guaidon si president, vetëm pak minuta pas deklaratës së tij. Një numër vendesh të Amerikës Latine, shumica të drejtuara nga qeveri konservatore të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, bënë të njëjtën gjë. Lista në rritje përfshin Brazilin, Argjentinën, Kilin, Kolumbinë, Ekuadorin, Perën, Kosta Rikën dhe Paraguain.
Kanadaja dhe Organizata e Shteteve Amerikane, e ka njohur gjithashtu Guaidon si presidentin e ri. Bashkimi Evropian, thuhet se po e merr në konsideratë një hap i tillë, por tani për tani, ka bërë një thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Presidenti venezuelian, Nikolas Maduro, u është përgjigjur këtyre veprimeve duke prishur marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në, dhe duke i urdhëruar diplomatët amerikanë të largohen nga vendi brenda 72 orëve.
Nga ana e tij, Guaido i kërkoi amerikanëve dhe diplomatëve të tjerë të qëndrojnë në vend, një mesazh i mbështetur edhe nga senatori republikan amerikan Marko Rubio, një nga kundërshtarët kryesorë të Maduros. Administrata Trump, po e injoron qeverisjen e Maduros, të cilën një zyrtar i lartë e quajti “të pakuptimtë”.
Një zyrtar tjetër i lartë i Trump, ka deklaruar se “të gjitha opsionet janë në tavolinë”, duke përsëritur mesazhin që vetë Trump e ka bërë publik që nga viti 2017. Të gjithë po hamendësojnë se çfarë do të ndodhë më pas. Por një pushtim ushtarak nga SHBA-ja, ndjehet si një mundësi reale.
Ky kurs veprimi, duhet të refuzohet në mënyrë të vendosur. Kjo jo për shkak se Maduro e meriton mbështetjen apo simpatinë e dikujt. Por për shkak të vuajtjeve dhe dëmeve të pallogaritshme, që do të shkaktonte ndërhyrja ushtarake amerikane në Venezuelë dhe në rajon, dhe ka shumë pak të ngjarë që një akt i tillë mund të sjellë ndryshimin për të cilin ka nevojë Venezuela.
Në fakt, Venezuela ka nevojë për ndryshim. Kriza ekonomike që po e rrënon vendin që prej vitit 2013, nuk tregon shenja zbutjeje, madje është përkeqësuar gjatë 18 muajve të fundit. Mungesa e madhe e ushqimeve, ilaçeve dhe mallrave bazë, së bashku hiperinflacionin, kanë nxitur rreth 3 milionë venezuelanë të largohen nga vendi gjatë viteve të fundit.
Qeveria ka reaguar në një mënyrë gjithnjë e më autoritare. Të vihesh kundër Maduros, është diçka e thjeshtë. Megjithatë, duhet të kuptohet se kriza e Venezuelës, nuk është vetëm ajo e Maduros. Edhe opozita apo qeveria amerikane, kanë gjithashtu përgjegjësinë e tyre.
Uashingtoni e ka pranuar se sanksionet e tij, mund të dëmtojnë venezuelianët, sikurse theksohet në raportin e Shërbimit të Kërkimit në Kongresin Amerikan në nëntorin e vitit 2018:”Edhe pse sanksionet më të forta ekonomike mund të ndikojnë në sjelljen e qeverisë venezueliane, ato mund të kenë ndërkohë efekte negative dhe pasoja të padëshiruara.
Analistët janë të shqetësuar se sanksionet më të forta, mund të përkeqësojnë situatën e vështirë humanitare të Venezuelës, e cila është e karakterizuar nga mungesa e ushqimeve dhe ilaçeve, rritja e varfërisë dhe emigrimi masiv. Shumë grupe të shoqërisë civile në Venezuelë, i kundërshtojnë sanksionet që mund të përkeqësojnë situatën humanitare”.
S’ka dyshime, se sanksionet e kanë përkeqësuar krizën humanitare. Arsyeja kryesore, është se sanksionet më të ashpra të imponuara në mesin e vitit 2017, e kufizuan rëndë aftësinë e Venezuelës për të paguar borxhet, duke sjellë kësisoj rënien e ndjeshme të prodhimit të naftës. Kjo ka pakësuar burimet publike të disponueshme, për një popullsi gjithnjë e më të dëshpëruar. Larg nga të qenit një efekt anësor aksidental, ky duket të jetë njëri nga synimet e politikës amerikane:t’i bëjë venezuelianët kaq të dëshpëruar, sa që ata të kthehen kundër Maduros.
Apekti ç’njerëzor i një politike të tillë, është mëse i dukshëm. Opozita mban një pjesë të përgjegjësisë për krizën për dy arsye. E para është dëmi i drejtpërdrejtë dhe i thërthortë i shkaktuar nga episodet e protestës së dhunshme, siç ndodhi në vitet 2014 dhe 2017, me inkurajimin e plotë të Shteteve të Bashkuara.
Përveç pronave të dëmtuara dhe jetëve të humbura, shumica të kryera nga mbështetësit e opozitës (me qeverinë që është gjithashtu përgjegjëse për shumë vdekje), dhuna e opozitës ushqeu një klimë frike dhe polarizimi, duke penguar perspektivat për reforma ekonomike dhe dialogun qeveri-opozitë.
Opozita meriton kritika edhe për paaftësinë e saj, për të krijuar një lidhje më efektive me klasat punëtore në Venezuelë. Ndërkohë që historikisht kanë mbështetur fuqishëm Çavizmin, klasat punëtore- të përbëra kryesisht nga punëtorët formalë dhe informalë, të papunët ose të varfërit e punësuar në vend – e kanë vuajtur jashtëzakonisht krizën aktuale.
Kjo vuajtje, ka çuar në raste të përsëritura të protestave popullore, të drejtuara kundër administratës Maduro. Opozita, nuk ka qenë në gjendje të lidhet efektivisht me këto protesta për disa arsye, njëra prej të cilave është pamundësia për të artikuluar një program pozitiv, që të adresojë në mënyrë efektive shqetësimet e përditshme të popullsisë (p.sh rënien e standartit të jetesës).
Këto shtresa, janë gjithashtu të shqetësuara ndaj historisë së dhunës nga ana e opozitës, dhe lidhjeve të saj të ngushta me SHBA-në. Për të kapërcyer sfidat e mëdha me të cilat përballet, Venezuela ka nevojë për një opozitë të gjerë dhe paqësore, që të bashkojë kërkesat politike legjitime (p.sh për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe një dialog kuptimplotë qeveritar-opozitar), me kërkesat e ngutshme sociale dhe ekonomike për të pasur qasje në ushqim, shërbim shendetësor dhe shërbimet e tjera bazë.
Aventurizmi i pamatur i Guaidos dhe SHBA-së, e ka bërë këtë skenar shumë më pak të mundur, në një kohë që po rrit ndjeshëm rrezikun e katastrofës dhe luftës civile. Një aventurizëm i tillë, duhet refuzuar. Përashtati për Tirana Today, Alket Goce
Shënim: Gabriel Hetland, është asistent profesor i Studimeve Latino-Amerikane dhe Sociologjisë në Universitetin Albani.