PSG pësoi të dielën humbjen e parë sezonale në Ligue 1. Ishte Olympique Lyon që mori tre pikë përballë parisienëve, duke i mposhtur me rezultatin 2-1. Mungesa e Neymar në këtë sfidë u ndje shumë dhe këtë e konfirmon edhe ylli i skuadrës, Kylian Mbappe.
Një sinjal se mungesa e transferimit rekord botëror (222 milionë euro) mund të ndihet te kampionët francezë edhe kundër Manchester United, në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve.
Kylian Mbappe, iu referua Messit dhe Cristiano Ronaldos për të justifikuar dështimin në këtë sfidë: “A e ndiejmë mungesën e Neymar? Pyetni Valverde nëse është e komplikuar për të, që të luajë pa Messin, ose kaloni te Juventusi dhe pyesni Allegrin nëse është e vështirë të luajë pa Ronaldon.
Është e komplikuar, po, duke luajtur pa Neymar. Ne duhet ta pranojmë këtë. Vitin e kaluar, ai ishte gjithashtu i lënduar dhe do të ishte mirë të mos përsërisim të njëjtat gabime. Përndryshe, do të thotë se nuk kemi mësuar asgjë”.