Zyra e shtypit të Avokatit të Popullit me anë të një njoftimi për shtyp ka bërë publik pezullimin nga detyra të përfaqësueses së Avokatit të Popullit të Zyrës Rajonale në Fier.
“Nga informacionet e bëra publike në media, rezulton se përfaqësuesja e Avokatit të Popullit të një Zyre Rajonale, ka marrë pjesë në një veprimtari politike të organizuar në date 13.06.2017 nga një subjekt politik, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë, duke u prezantuar edhe si përfaqësuese e Zyrës Rajonale te Avokatit te Popullit”-shkruhet në njoftim.
Sipas këtij institucioni, është e drejtë e çdo punonjësi të administratës shtetërore/publike që, pas orarit zyrtar të punës dhe jashtë mjediseve të institucioneve shtetërore,të marrë pjesë në veprimtari politike, ndërkohë që i ndalohet pjesëmarrja në veprimtari të tilla gjatë orarit zyrtar të punës, apo te marrë përsipër te përfaqësojë institucionin ku ai punon, për sa kohe që nuk i janë deleguar kompetenca te tilla.
Po ashtu, bëhet me dije se pavarësisht se Avokati i Popullit nuk e ka marre ende detyrën, nisur nga ngjarja e mësipërme strukturat drejtuese te institucionit kanë vendosur pezullimin nga detyra të përfaqësueses së institucionit të Avokatit të Popullit për Zyrën Rajonale Fier, deri në përfundimin e hetimit administrative.
Institucioni i Avokatit të Popullit garanton se do të vazhdoj të kryej me korrektesë dhe paanshmëri të gjitha funksionet e ngarkuara nga ligji dhe Kushtetuta, për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë.