Ilir Meta ka takuar ditën e sotme kampionen nga Kosova të sportit të xhudos, Majlinda Kelmendi. Presidenti i Republikës ka pritur Kelmendin dhe trajnerin e saj, Driton Kuka, së bashku me disa sportistë të tjerë kosovarë, në zyrën e tij.
Ky takim ka qenë në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”. Në një postim në faqen e tij në rrjetet sociale, Meta ka uruar sportistët e Kosovës për pasjen e sukseseve në garat e ardhshme.
“Një takim i ngrohtë me krenarinë e sportit shqiptar, Majlinda Kelmendi dhe kampionët e xhudos nga Kosova, Shpat Zeka, Erza Muminoviq e Akil Gjakova dhe trajnerin e tyre të mirënjohur Driton Kuka, ambasadorët e shkëlqyer të vlerave më të mira njerëzore e sportive të kombit shqiptar në botë.
I’u urova shumë suksese në stërvitjen që kanë nisur për Lojrat Olimpike “Tokyo 2020”, besimplotë se do arrijnë të ngrenë lart flamurin e Kosovës.
Majlinda, Distria, Nora, Erza, Akili, Shpati e shumë sportistë të tjerë janë motiv krenarie dhe model suksesi e frymëzimi për fëmijët e të gjithë të rinjtë shqiptarë”-shkruan Meta.