Reshjet e dendura të shiut që përfshinë vendin dhe prurjet e shumta të përrenjve malorë shkaktuan shembjen e një ure në Domgjon të Mirditës, duke izoluar kështu disa familje.
Banorët tregojnë se situata është e vështirë, pasi janë dëmtuar dy ura që i lidhin ata me Rrugën e Kombit, ndërsa probleme ka në rrjetin e ujësjellësit, si dhe me ndërprerjen e energjisë elektrike.
Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi tha se një nga urat do të ndërtohet brenda këtij viti.
“Dje dhe gjatë natës ka pasur reshje shiu me intensitet të lartë. Lumi që është këtu është mjaft problematik në zonën e Mirditës, për shkak të inerteve që mbart. Duhet të ulet niveli i ujit për të ndërhyrë. Momentalisht kemi në projekt një urë për ndërtim, për të tjerat do të shohim në vijim”, tha Mëlyshi teksa pa nga afër situatën.
Për rjedhojë banorët kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme, për të shmangur përsëritjen e situatave të tilla në periudhën e shirave të fortë.
Prurjet e përrenjve shembën urën që lidh Domgjonin e Mirditës me Rrugën e Kombit, mbi 30 familje të izoluara. Kryebashkiaku Mëlyshi: Ura do të rikonstruktohet brenda këtij viti















