Ministri Dritan Demiraj, në vijim të masave të marra për ngjarjen e mëngjesit të ditës së sotme në Dibër, i ka kërkuar Komandantit të Gardës së Republikës shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të Florian Lalës, punonjës i Gardës së Republikës dhe nipi i biznesmenit Ymer Lala. Ky i fundit, në shkelje të statusit të tij dhe nenit 332/a të Kodit Penal, ka marrë pjesë aktive në fushatën elektorale të PDIU-së në qarkun e Dibrës. Efektivi Florian Fatbardh Lala është liruar menjëherë nga detyra.
Gjithashtu, ministri u ka bërë thirrje të gjithë subjekteve politike të shmangin incidentet, të respektojnë ligjin duke mos angazhuar në fushatë persona të cilëve iu ndalohet një aktivitet i tillë, përndryshe toleranca do të jetë zero.
“Ministri Demiraj ka ndjekur nga afër operacionin e Policisë së Shtetit dhe SHÇBA-së për arrestimin e në flagrancë të shtetasit Demir Deda, punonjës policie në Durrës, i cili ishte i përfshirë në fushatën elektorale të subjektit politik, PDIU, në Dibër duke shkaktuar incidente me subjekte të tjera politike. Ministri Demiraj inkurajon strukturat e Policisë së Shtetit për të mos lejuar asnjë shkelje të ligjit pa marrë përgjigjen e merituar.
Ministri Dritan Demiraj i tërheq vëmendjen Drejtorit vendor të Policisë në qarkun Dibër, i cili nuk ka marrë masat e nevojshme duke cenuar besueshmërinë e punës së Policisë së Shtetit.
Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj u bën thirrje të gjithë subjekteve politike të shmangin incidentet, të respektojnë ligjin duke mos angazhuar në fushatë persona të cilëve iu ndalohet një aktivitet i tillë dhe të mbajnë larg aktivitetit elektoral persona me rekorde kriminale, pasi do të ketë tolerancë zero”, thuhet në njoftimin e dërguar nga ministria e Brendshme.