Pak ditë më parë, në datë 13 Janar LIBRA vendosi përjashtimin nga partia të themelueses Mimoza Hafizi. Sipas njoftimit në faqen zyrtare të partisë LIBRA, Komisioni i Etikës ka përjashtuar Hafizin me arsyetimin se ka shkelur statutin.
Vendimi është publikuar në faqen zyrtare të Partisë LIBRA, ku arsyetohet se Hafizi, ka kryer veprime të cilat përbëjnë shkelje të rënda të Statutit duke cënuar seriozisht funksionimin e Organizatës Politike “Lista e Barabartë”.
Ndërkohë sot dha dorëheqjen dhe kryetari i LIBRA, Ben Blushi. Ai renditur edhe arsyet që e çuan të merrte një vendim të tillë.
Sipas tij; “shqiptarët duan te jene gjithnje me te fortet dhe jo me te drejtet, duke menduar se cka eshte e forte eshte edhe e drejte dhe cka eshte e drejte eshte gjithnje e dobet”.
VENDIMI
Rezulton se znj. Mimoza Hafizi, anëtare e “Bërthamës” ka kryer veprime të cilat përbëjnë shkelje të rënda të Statutit duke cenuar seriozisht funksionimin e Organizatës Politike “Lista e Barabartë”, krijuar me vullnetin e lirë të të gjithë anëtarëve të saj. Kështu, znj. Hafizi, më datë 08.01.2018, në rrugë paralele dhe pa asnjë konsultim me strukturat e tjera të Partisë si dhe në mungesë të kuorumit të nevojshëm (1/3 e Bërthamës) parashikuar në nenin 11/4 të Statutit Libra, ka thirrur mbledhjen e Bërthamës. Kjo për shkak se kërkesa për mbledhje Bërthame rezulton të jetë firmosur dhe nënshkruar nga persona të cilët në këtë datë nuk kanë qënë anëtarë të Bërthamës Libra pasi ishin dorëhequr me vullnetin e tyre te lire e te pa vesuar nga të qenit anëtarë Bërthame.
Për rrjedhojë kërkesa e tyre është e pa mbështetur në vështrim të normave statutore në fuqi (11/4). Për këtë nismë antistatutore znj. Hafizi është paralajmëruar, jo vetëm në rrugë zyrtare, shih publikimin në faqen zyrtare të Libra. al, por edhe nëpërmjet korrespondencës elektronike të saj ( me email), që të pushojë së kryeri veprime të mëtejshme të cilat përbëjnë një shkelje të hapur të Statutit, të ligjit për “Organizimin dhe funksionimin e Partive Politike”, etikës dhe moralit që subjekti Libra ka për qëllim të mbrojë e respektojë.
Ndonëse znj.Hafizi ka bërë thirrje për mbledhje të Bërthamës jashtë parashikimeve statutore të nenit 11/3, si dhe me gjithë paralajmërimet e marra si më sipër, ajo ka vijuar me paligjshmëri të tjera duke mbajtur kështu më datë 12.01.2018, një mbledhje të cilësuar prej saj si mbledhje Bërthame, pa kuorumin e kërkuar nga statuti, pa formalitetin që kërkon mbajtja dhe pasqyrimi i një mbledhje, cka e provon deklarata e saj publike e shpërndarë për mediat dhe firmosur vetëm nga Znj. Hafizi. Këto nisma, në kundërshtim flagrant me dispozitat statutore, kanë krijuar një situatë totalisht konfuzionale për të gjithë anëtarësinë Libra, të cilët vazhdimisht, pas marrjes dijeni të këtyre qëndrimeve të lartpërmendura, kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me këto struktura paralele dhe të paligjshme të krijuara nga znj. Hafizi, nga njëra anë, dhe strukturave të ligjëruara statutore të Libra- s nga ana tjetër.
Sa më sipër, Komisioni i Etikës, pasi ka marrë dhe shqyrtuar të gjithë korrespondencën zyrtare ndërmjet strukturës së Libra-s dhe znj. Hafizi ka konstatuar se, megjithëse kjo e fundit është ftuar në mënyrë periodike, të marrë pjesë në takimet/mbledhjet e mbajtura nga Libra për të shprehur pikpamjet e saja, ka refuzuar pa ndonjë shkak të përligjur. Po ashtu, Komisioni i Etikës konstatoi se, nga e znj. Hafizi në deklaratën e shpërndarë nga posta e saj elektronike, janë përdorur simbole zyrtare të Subjektit Libra me të cilat ajo identifikohet, pa asnjë tagër ligjor apo ndonjë autorizim tjetër të dhënë nga strukturat e legjitimuara të Libra-s.
Veprimet e mësipërme, të përdorimit dhe publikimit të simboleve të partisë Libra pa autorizim, të kryera nga znj. Hafizi, parë në harmoni me njëra-tjetrën dhe qëllimin që është dashur të arrihet nëpërmjet tyre, ne, Komisioni i Etikës unanimisht vlerësojmë se janë konsumuar edhe elemente penale.
Përfundimisht, Komisioni i Etikës pasi mori në shqyrtim dhe verifikoi dokumentacionin që provon shkeljet e renda statutore dhe penale të kryera nga znj. Hafizi, pasi diskutoi gjerësisht mbi rëndësinë e tyre në mbështetje të nenit 12 germa (e) të Statutit vendosi uanimisht si më poshtë: 1. Përjashtimin e znj. Mimoza Hafizi jo vetëm nga anëtarësia e strukturës së “Bërthamës” por edhe si anëtarë e Subjektit Politik Libra, për shkelje të rënda dhe të përsëritura Statutore.