Do të flasim për projektin e ri që ka zhurmuar gjithë rrethin e artistëve gjatë këtyre ditëve, me ish-aktoren e Teatrit Kombëtar, dikur Popullor. Si një nga më të vjetrat, edhe pse prej shumë vitesh, që pas largimit të të shoqit nga jeta, Mimika Luca nuk kalon më asaj rruge, ajo do që teatri të ngelet ai që ka qenë, duke i bërë një rikonstruksion tërësor….
“Teatri është i Popullit të Tiranës, që dikur nuk i thërriste aktorët me emrat e tyre, por me emrat e personazheve. Mirë për Ndrekën që janë bërë barsoleta pa fund, por edhe mua që isha më pak e njohur se ai, më thërrisnin Drita. Sot janë probleme të mëdha të teatrit, prandaj edhe duhet folur për punën dhe rëndësinë e atij institucioni. Ndoshta tri- katër dekada më parë, në një vend të dukshëm të Teatrit Kombëtar, duhet të vihej një tabelë ku të ishte shkruar me germa të mëdha : Ky truall është djep i kulturës dhe i të gjitha arteve profesioniste shqiptare. Ajo punë që është bërë aty në atë vend, nuk mund të përshkruhet asnjëherë”, – duke thënë këtë, Luca ka dhënë edhe një pjesë të mirë të përgjigjes e mendimit të saj për projektin e ri të Teatrit Kombëtar.
A i keni ndjekur ngjarjet e fundit për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe bërjen e një të riu, modern?
Patjetër që i kam ndjekur! Që ajo ndërtesë ka nevojë për ndërhyrje, kjo nuk ka diskutim. E dini, që kur kam luajtur unë te “Borgjezi fisnik”, ngrija fustanin e gjatë sepse bodrumi ishte gjithë ujë dhe kaloja përmbi dy dërrasa. Violeta Manushit i jepja dorën në atë pjesë, që të mbahej, se mund të binte. Për shembull, fustani i nuses së Marie Logorecit, që vesha kur u bëra nuse, mbante erë myk që atëherë dhe as mund të laheshin sepse prisheshin. Nuk e mendoj se ç’mund të ketë ndodhur më vonë.
Mendoni se duhet një tërësisht i ri apo mund të rikonstruktohet?
Duhet të rikonstruktohej që tri dekada më parë, jo tani! Mua më pëlqeu maketi që kishte bërë karikaturisti, shoku im i shkollës, Bujar Kapexhiu. Teatri Kombëtar nuk do stile moderne. Në të gjithë botën, Teatrot Kombëtarë janë të gjithë klasikë! Pastaj, për të tjerët, mund të bëjnë ndërtime moderne si t’i duan. Aty themelet janë, mjafton që rikonstruksioni të jetë i plotë dhe ashtu siç duhet. Unë nuk kaloj andej prej shumë vitesh, por po ju them gjendjen që nga kujtimet e mia e nëse nuk është vënë dorë, se di si mund të jetë. Mendoj që duhet të shembet ajo që është për t’u shembur dhe të ruhet ajo që është për t’u ruajtur. Dëgjova që thuhet se nuk ka akustikë, por nëse ka një teatër në Shqipëri me akustikë të shkëlqyer, është ajo skenë. Me sa di, Teatri i Operës ka pasur defekte të mëdha me akustikën, por jo Teatri Popullor.
Ju nuk ndenjët shumë vite në teatër sepse shkuat në Institutin e Arteve…Pse ndodhi kjo lëvizje?
Në fakt, nuk ishte lëvizje e kërkuar nga unë, por e urdhëruar. Kështu funksiononte atëherë, do bëje atë që të thoshin e nuk mund të kundërshtoje, sado që edhe mua më shpëtonte ndonjëherë goja, thosha ndonjë gjë për të cilën pendohesha.
Çfarë ka ndodhur? Me sa dihet, asgjë që t’iu ketë prekur karrierën…
JO, nuk jam prekur! Unë të paktën jo, por as familjarisht edhe pse Ndreka ka pasur ca gjëra të vogla, sepse ishte edhe më i papërmbajtur se unë… Megjithatë, asnjëherë nuk pati mosmarrëveshje të mëdha. Jo, jo…
Ju, jeni përplasur me politikën e dikurshme?
Jo! Madje më kanë propozuar për t’u bërë deputete. Së pari, anëtare partie…Shkoj i them Ndrekës kështu e kështu, me të qeshur, por kur s’ishte ai i përfshirë, si mund të isha unë!? Madje, edhe kur ai pas 90-ës nisi të përfshihej, unë shqetësohesha, nuk doja! Në Lidhje të Shkrimtarëve, për dy vjet, komedia ime “Shkalla shtatë” u quajt e gabuar dhe nuk u lejua. Dy vite me radhë më ka dalë emri në Lidhje të Shkrimtarëve, ndërsa isha vetë anëtare. Mora pjesë në Kongresin e Dytë të Lidhjes dhe aty e quajtën të gabuar, më dhanë dhe ca këshilla, por asgjë më shumë se kaq. Ndreka i ka pasur më të rënda episodet sepse tha njëherë ‘kur të vdesim do na nderojnë?!’ E shkruan në gazetë këtë, por pa përmendur emrin e tij…Ndër të tjera thoshte se nuk donte që ta varroste Lidhja e Shkrimtarëve, por të dilte nga shtëpia me qeleshen që i kishte falur Kosova. Kanë qenë ngacmime të vogla politike, megjithatë, jo të përmasave të kolegëve tanë!
Me komedinë “Shkalla e shtatë”, çfarë ndodhi?
Atë nuk e përjetova aq sa dramën tjetër…Kam qarë me lot kur dola nga Komiteti Qendror, pasi çova dramën “Shkrepajt’. Ishin ngjarjet e ushtrisë të vitit 1954 dhe askush nuk mund ta aprovonte. Unë e dërgova ta lexonte shoqja Nexhmije dhe pas një muaji në pritje, më thotë dikush nga teatri, një njeri që mund t’i besoje, ‘Çfarë ke shkruar ti?! Kush ka guxim ta aprovojë atë dramë që paske bërë zotrote? Asnjë përveç Enver Hoxhës nuk mund ta aprovojë”.
Megjithatë, nuk pësuat gjë?
Pas një muaji më edhi shkresa se shoqja Nexhmije nuk ka pasur kohë ta lexojë. Nuk arrij ta besoj sesi e kam bërë! Megjithatë, mund të ndodhte edhe më keq! Asaj ndoshta nuk ia kanë çuar fare sepse të gjithë e përjashtuan si mundësi. Një anëtar i Komitetit të Partisë më tha se kishte qarë kur e kishte lexuar, nuk kishte gabime ideore. Tentova përsëri më vonë dhe prapë gabova.
Mirëpo unë s’isha fare e përfshirë politikisht, isha aq pak sa njihja vetëm emrin e Mehmetit, Nexhmijes dhe Enverit. Edhe në një rast tjetër, pas prishjeve që bëheshin me vende të ndryshme, shkruaj diçka për Amerikën, duke e bërë fajtore të luftërave në botë, ndërsa pjesën tjetër e lija të barabartë. Mirë- po, duke dredhuar me Hungarinë e Çekinë, poshtëroja edhe qeverinë time. Lidhja nuk e botoi, por u botua në një gazetë të kohës, me pseudonim.
Në Kongres, duke dalë, shoh dy gra, Nexhmijen me Fiqiretin. Fiqireti më thërret: Mimika! Unë afrohem menjëherë dhe ajo thotë: ‘Mika ka shkruar një tregim shumë të bukur’…. Mirëpo, pa mbaruar frazën,kthehet Nexhmija me një prerje të ftohtë, por jo arrogante: ‘Mimika është shumë e re, e ka jetën përpara, do shkruajë gjëra të tjera!” E mbyllëm gojën të tria dhe unë u largova. E mbylla këtu edhe me guximin tim për të shkruar gjëra që nuk do aprovoheshin.