Në orët e fundit të merkatos në Itali u fol për një kalim të mundshëm të yllit serb, Sergej Milinkovic Savic nga Lazio tek Milani. Madje disa media italiane shkruanin se janë programuar edhe vizitat mjekësore, por e vërteta është krejt ndryshe. Ka qenë drejtori sportiv i kuqezinjve, Leonardo ai që ka sqaruar gjithçka.
“Negociatat për Milinkoviç-Saviç nuk kanë nisur asnjëherë, pasi nuk kemi qenë në kushtet ku mund të shpenzonim aq shumë para për një lojtar. Menaxherin e tij e kam shumë mik dhe kam folur, por çmimi i kartonit të tij ishte jashtë standardeve tona dhe atyre të vendosura nga UEFA, ndaj negociatat nuk nisën asnjëherë”, tha drejtuesi brazilian i kuqezinjve.
“Merkaton mund ta quaj të mbyllur, pasi nuk kemi asnjë operacion në zhvillim. Kemi marrë lojtarët që donim, duke përforcuar sulmin me një sulmues race si Higuain, mbrojtjen me lojtarë si Caldara, Laxalt, etj, por edhe mesin e fushës me Bakayoko. Të gjithë këta jam i bindur se do të jenë vlera të shtuara për organikën e Gattusos”, deklaroi Leonardo.