Nga Rudina Hajdari/ Edhe pas 28 vitesh tranzicion, kjo është fryma që mbizotëron në vendin me drejtësi më të kapur dhe më të korruptuar, një frymë që mbyt debatin dhe faktet dhe prihet nga individë që e shikojnë drejtësinë në mënyrë selektive dhe me një vetëbesim të verbër, që as vetë nuk e besojnë dhe shpikin realitete që do të ishin të papranueshme edhe për vendet më të prapambetura të Afrikës.
Natyrisht, detyra e një opozite është mbrojtja e integritetit demokratik të një vendi dhe lufta ndaj politikanëve të korruptuar dhe në princip çdo reformë apo iniciativë në kohët moderne të një vendi, problem kyç ka mënyrën e zbatimit të reformave dhe në fund të fundit, cilët do të jenë njerëzit që do t’u takojnë t’i zbatojnë këto reforma. Nga eksperienca negative e vendeve me demokraci të pakonsoliduar, por edhe nga ajo që ka ndodhur me sistemin tonë pothuaj gjatë gjithë kohës së tranzicionit, njerëzve që u ka takuar t’i zbatojnë këto lloj reformash janë etiketuar jo vetëm si të paaftë, por edhe të varur tërësisht nga pushtetarët dhe kjo ka sjellë që zbatimi i tyre të mos ndodhë në mënyrë efektive.
Ky është shkaku që nuk jam optimiste dhe insistoj në këtë pikë sepse që në zanafillën e problemit kujdesi kryesor nuk i kushtohej bërjes së ligjeve, por personave që do të merreshin me hartimin dhe zbatimin e tyre, pikërisht atyre ligjeve sa të kërkuara dhe të domosdoshme. Për shembull, ndryshimi i klauzolave kushtetuese tregoi se Kushtetuta jonë e brishtë ishte thjesht një produkt i sjelljes autoritare të pushtetit, gjithmonë duke u nisur dhe duke ia imponuar barrën e fajit atyre që ikën e duke ia shtuar oreksin e atyre që janë në pushtet me kompetenca të panumërta, sipas disa kritereve “europiane”.
Ish-kreu i KGB-së dhe vrasësi famëkeq Levrenty Beria, thoshte: “Më trego njeriun dhe unë do t’ju gjej krimin”. Në vetvete kjo është ajo që përkufizon ndryshimet “demokratike” të sistemit tonë. Në qoftë se do të vësh re me kujdes se cilët janë njerëzit që mbikëqyrin reformat, do të konkludosh se cilido që qëndron pranë maxhorancës është i mbrojtur nga reformat dhe shikon shpëtim nga demagogjia dhe frazeologjia e gjerë e reformave të propozuara. Shumica ka një mik, një anëtar të familjes etj., i cili është i përfshirë në një farë mënyre dhe formulimi e tërheq rrjetën shumë gjerësisht “në rrethin e subjekteve …”
Por në demokraci nuk mund të ekzistojnë bashkërisht të dyja, që problemi i barrës së fajit të kalohet te njëra palë, ndërkohë që arbitrimi ndodh në mënyrë selektive dhe preferenciale. Shpeshherë lind pyetja se kush do të arbitrojë ndëshkimet apo “mëkatet” mbi ata/ato që kanë abuzuar me pushtetin? Ndërkohë kur në raportin e mëparshëm të Komisionit të Venecias thuhet se “Aktivitetet edhe në të kaluarën … nuk janë prova bindëse për qëndrimin aktual të një personi”. Pra, në vetvete, draftet e propozuara në të shumtën e rasteve janë një hipokrizi fjalësh të mbushura me ide totalitare (barrë e fajit), të papërputhshme me procedurën ligjore moderne dhe thellësisht antieuropiane, kur cilësojmë një qeveri të mëparshme abuzuese apo të padrejtë sa kohë që pranojmë se jetojmë në një pseudodemokraci.
Nëse analizojmë Reformën e Drejtësisë apo Reformën Zgjedhore si shembull, duhet të ketë disa kufizime strikte mbi afatin për të cilin mund të zbatohen këto reforma dhe të gjithë duhet të jemi të barabartë përpara tyre. Në rast të kundërt, këto ndryshime në thelb janë thjesht disa kartela daljeje nga ndëshkimi, ashtu sikur ka ndodhur dhe me ish-sigurimsat e epokës së Hoxhës ose një luftë barbare për të siguruar jetëgjatësinë e qëndrimit në pushtet.
Pra, me fjalë të tjera, ndryshimet kushtetuese dhe reformat false flasin për njëlloj bastioni të pushtetit autoritar dhe një lloj konvertimi të ringjalljes së një regjimi që po vdes, një lloj përpjekjeje nga humbësit e historisë për të rishkruar trashëgiminë e tyre duke fshehur transparencën dhe duke siguruar imunitet për të gjitha të këqijat e tyre gjatë qeverisjes abuzive, ose një përpjekje për të pastruar të dhënat e tyre, për shpëtuar veten nga korrupsioni banal.
Nga ana tjetër, leva e “Reformës në Drejtësi” është pa dyshim “Reforma Zgjedhore” që u ofron lirinë e duhur të “mëdhenjve” dhe rregulla strikte “armiqve”. Ngutja për të kaluar Reformën Zgjedhore është instrumenti më i përsosur i maxhorancës për të sanksionuar pushtetin me lista oligarkësh dhe me vjedhje e blerje votash, me lista që i japin mundësinë e zgjedhjes vetëm atij që qëndron në majë të piramidës dhe që përjashtojnë tërësisht vullnetin e sovranit. Pra, çdo lloj reforme që ka për qëllim t’i japë dritë një errësire, s’është gjë tjetër veçse një mbulesë për të preferuarit e pushtetit, të inkriminuarit dhe servilët dhe një propagandë e vjetër për popullin.
Në këto kushte, si mund të besojmë që reformat e mëdha janë të sinqerta…!? Është një lloj si të pyesësh gjelat e detit nëse do të votonin për të ardhmen e tyre gjatë ndërrimit të viteve. Pra, ata që propozojnë reformat, ata që i miratojnë ato, janë pikërisht ata, të cilët, në rast interpretimi të drejtë, do të bëheshin kurban i ndryshimeve të realitetit politik.
Por ka vetëm një interpretim të këtyre ndryshimeve, që sikurse reforma e dështuar e arsimit, edhe këto pseudoreforma në thelb janë lëvizje cinike dhe të përgatitura nga grupe pushtetarësh, që për t’i dhënë fuqi të reja pushtetit të tyre, që shmangin përgjegjësinë dhe u heqin të drejtën shqiptarëve për të pasur një sistem demokratik. Në këtë fatalitet ku jemi futur nuk ka nevojë që të tregojmë se kush i udhëheq këto reforma, pra cili është Ai, “njeriu”, në mënyrë që ish-aleati i partisë së tij të gjejë krimin…