Kim Jong Un ka festuar me shumë pompozitet 68-vjetorin e Luftës së Koresë me një paradë ushtarake ku morën pjesë edhe mijëra veteranë.
Qielli në Penian u ndriçua nga fishekzjarrët, ndërsa të gjithë bënë homazhe para monumentit përkujtimor të asaj që koreano-veriorët e quajnë Lufta për Çlirimin e Atdheut.
Festa përkujtoi ditën kur u firmos edhe armëpushimi, që i dha fund Luftës së Koresë, ku Veriu mbështetej nga Kina, ndërsa Jugu nga Shtetet e Bashkuara. Konflikti zgjati nga viti 1950 deri në vitin 1953.
Megjithatë, edhe pse kanë kaluar thuajse 7 dekada, armëpushimi nuk është zëvendësuar me një traktat paqeje dhe Gadishulli Korean është teknikisht ende në gjendje lufte. Aty janë vendosur 28 500 trupa amerikane, të pozicionuara në Korenë e Jugut.