Një i ri shqiptar ka rënë në pranga të policisë italiane pasi ai lëvizte i armatosur. Shqiptari është ndalur në zonën e Ternit, pas një kontrolli të befasishëm të policisë. Mediat italiane shkruajnë se ai u kap teksa ishte duke udhëtuar me një motor, ndërkohë që ishte i armatosur. Në xhup, kishte një pistoletë me fishekun gati për të hapur zjarr.
Ai u kap në afërsi të parkimit të një restoranti, pasi ishte bërë dyshues për dy efektivë të rrugores, që iu vunë nga pas dhe e ndaluan për kontroll. Në një pjesë të motorit iu gjetën plumba të tjerë. Ndërkohë që policia i zbarkoi në dhomën e hotelit ku qëndronte. Aty u gjetën sende që e rëndojnë më shumë pozitën e tij. U gjetën lloje të ndryshme kapelesh, doreza, armë dhe 38 plumba të fshehura në një çorape.
Hetimet zbuluan se armët dhe plumbat ishin vjedhur në një shtëpi në zonën e Bolonjës. Shqiptari, emri i të cilit nuk është bërë i ditur është vënë në pranga, tashmë jo vetëm për vjedhje, por edhe për armëmbajtje pa leje. U dërgua direkt në burgun në Viterbo.