Nga: Robert Bickers
Kur Gardistët e Kuq mbërritën tek dera e shtëpisë së Nien Çeng në Shangai natën e 30 gushtit 1966, ajo nuk ishte një ngjarja e papritur. Përgjatë “Gushtit të Kuq”, bandat e organizuara të studentëve kinezë kishin ndërmarrë akte vandale në mbarë Kinën në emër të luftës kundër traditave “feudale”.
Megjithatë, ajo që pasoi ishte edhe më e egër. Më shumë se 30 adoleshentë hynë në shtëpinë e së vesë 51-vjeçare dhe filluan ta shkatërronin atë, duke djegur rroba, objekte të vjetra, foto piktura dhe orendi, si dhe duke shkruar parulla politike nëpër nure.
Vetë Nien Çeng u arrestua; ajo do t’i kalonte në burg 6 vitet e ardhshme. Historia e saj nuk ishte aspak e pazakontë. Vetëm në Shangai, dhjetëra mijëra shtëpi u sulmuan në të njëjtën mënyrë dhe shumë prej banorëve të tmerruar u rrahën për vdekje ose u vetëvranë.
Po ashtu Gardistët e Kuq vranë macet dhe kafshët e tjera shtëpiake,të cilat ata i konsideruan si një ndikim borgjez. Megjithatë, në vend se të ishte një histeri e një turme të paligjshme, ajo ishte një lëvizje e sanksionuar dhe e inkurajuar zyrtarisht nga Mao Ce Duni dhe rrethi i tij i ngushtë.
Ishte fillimi Revolucionit Kulturor të Kinës. Në pranverën e vitit 1965, Mao, djali 72-vjeçar i një pronari të vogël tokash në Kinën Jug-Qendrore, ishte prej më shumë se 3 dekadash në krye të Partisë Komuniste Kineze. Ai ishte një nga anëtarët themelues në vitin 1921, dhe udhëheqësi kryesor në mesin e viteve 1930.
Kur PKK mori pushtetin në vitin 1949 dhe themeloi Republikën Popullore të Kinës, ai kishte ndërtuar kultin e tij të personalitetit, duke diktuar vullnetin e tij mbi politikat dhe politikat e shtetit të ri. Në fundin e viteve 1950, Mao nisi të kishte ambicie për të drejtuar lëvizjen ndërkombëtare komuniste, gjë që solli përçarjen e saj.
Por “Timonieri i Madh” ishte i shqetësuar për të ardhmen dhe veçanërisht për trashëgiminë e tij. Në vitin 1958, ai nisi zbatimin e një procesi të kolektivizimit të shpejtë bujqësor dhe nxiti rritjen e ndjeshme të prodhimit industrial për të kapërcyer atë të Britanisë dhe për t’u barazuar në atë të SHBA-së.
Rezultati ishte katastrofik: rreth 30 milionë njerëz vdiqën nga uria. Në vitin 1965 Mao ishte i detyruar të tërhiqej nga udhëheqja e reformave, ndërsa kolegët e tij më pragmatikë u përpoqën ta rindërtonin ekonominë, edhe pse Mao mbeti i fuqishëm në pozicionin e tij si kryetar i Partisë Komuniste.
Burra të tillë si presidenti Liu Shaoqi dhe Ten Hsiaopin, që menaxhonin punët e përditshme, ishin veteranë të lëvizjes dhe jo më pak të përkushtuar për të përmbushur qëllimet e PKK. Ten artikuloi në korrikun e viti 1962 qasjen e tij të famshme, duke cituar një fjalë të urtë gjatë një fjalimi në provincën Siçuan: “Nuk ka rëndësi nëse një mace është e verdhë apo e zezë, për sa kohë që ajo i kap minjtë!”.
Por për Maon kjo qasje ilustronte afrimin e një burokracie të re, që po humbte një ngjyrë tjetër, shumë më të rëndësishme: të kuqen e Revolucionit. Nën udhëheqjen e Liu, Ten dhe të tjerëve në të gjitha nivelet në parti dhe shtet, Partia Komuniste Kineze rrezikonte të humbte pastërtinë e saj ideologjike dhe ambiciet e saj politike, për t’i dhënë më shumë përparësi rritjes ekonomike.
A po restaurohej kapitalizmi? A po kompromentohej revolucioni nga një elitë e re që kishte zaptuar partinë dhe qeverinë? Këto pyetje e mundonin Maon, që u trondit shumë kur në vitin 1956 lideri sovjetik Nikita Hrushovi e denoncoi dhe mallkoi paraardhësin e tij, Josif Stalin.
A ishte Liu Shaoqi “Hrushovi” i Kinës, dhe a nuk po shkonte Mao drejt të njëjtit fat si homologu i tij i dikurshëm sovjetik? Në këto kushte ai futi në lojë të rinjtë dhe të pakënaqurit, dhe i mobilizoi ata që të mbështesnin përpjekjen e tij për të rivendosur përparësinë e vizionit të tij.
Në vitin 1966, me mbështetjen e fortë të kreut ambicioz i ushtrisë kineze, Lin Biao, Mao nisi një sulm të vazhdueshëm ndaj zyrtarëve tëpartisë dhe shtetit, nëpërmjet një programi të përshkruar zyrtarisht si një “Revolucion i Madh Kulturor Proletar”.
Kundërshtarët e Maos u akuzuan atë se po përpiqej të shtypte kritikën, si pjesë e një përpjekje për të minuar revolucionin. Viktima e parë e lëvizjes ishte Peng Zhen, kryetari i fuqishëm i PKK së Pekinit dhe anëtar i Byrosë Politike, që u rrëzua në maj të vitit 1966 së bashku me figura të tjera të larta në qytet.
Por, a menduan Mao dhe mbështetësit e tij, deri ku ishte përhapur kalbëzimi? Revolucioni ishte nën një sulm të brendshëm, besonin ata, një sulm që vinte nga diku brenda udhëheqjes. Gjatë viteve 1966-1976, rreth 1.5 milionë njerëz vdiqën si rezultat i përndjekjes apo gjatë përplasjeve të përgjakshme, dhe dhjetëra miliona të tjerë do të përballeshin me poshtërimin publik.
Liu Shaoqi u rrëzua, duke vdekur i turpëruar në vitin 1969. Shumë pjesët të Kinës u rrëzuan nga ajo luftë civile. E miratuar nga Mao, lëvizja e re u përhap me shpejtësi në të gjithë vendin. Miliona të rinj u dyndën nëpër trenat e saj për të kryer pelegrinazhe politike në Pekin.
Armiqtë e partisë u panë kudo, edhe në shtëpitë e “borgjezëve” si Nien Çeng në Shangai. E veja e një ish-diplomati, ajo ishte bërë menaxhere e degës lokale të kompanisë britanike të naftës “Shell”, dhe së fundmi kishte dalë në pension.
Çeng kishte studiuar në mesin e viteve 1930 në Shkollën Ekonomike të Londrës, ku kishte njohur edhe burrin e saj, dhe ishte një patriote kozmopolite shumë e kulturuar. Ajo kishte vizituar Britaninë, duke synuar të fitonte mbështetje për Kinën gjatë pushtimit japonez. Ajo dhe burri i saj jetuan për 5 vjet në Australi, ku lindi dhe vajza e tyre Meiping.
Meiping u rrit duke mësuar dy gjuhë. Ajo mësoi të luante në piano, dhe u bë aktore filmi. Në qershorin e vitit 1967 Meiping u rrëmbye, u rrah, u torturua dhe u vra nga një bandë e Gardës së Kuqe. Shkatërrimi i simboleve të Kinës së “Vjetër” (para-revolucionare) u bë një tipar përcaktues i lëvizjes së Gardës së Kuqe.
Gardistët sulmuan “Katër të Vjetrat” – idetë e vjetra, kulturën e vjetër, zakonet e vjetra dhe veset e vjetra – plaçkitën tempujt dhe kishat, si dhe shkatërruan artefaktet që ndodheshin brenda. Ata riemërtuan rrugët e Kinës, duke zhdukur emrat“feudalë”.
Ata sulmuan dhe poshtëruan njerëzit me modele perëndimore apo këpucë të modës në Hong Kong. Një grup kërkoi deri edhe rimodelimin e semaforëve. E kuqja duhej të nënkuptonte “ec”, pasi ishte kundërrevolucionare të besoje se e kuqja do të thoshte “ndalo”?
Gruaja e Maos, Jiang Qing, firmosi për një “Grup Revolucionar Kulturor” që mori de fakto pushtetin. Ai autorizoi shfaqjen e vetëm 8 dramave dhe operave revolucionare. Muzika, arti dhe letërsia e huaj “reaksionare” dhe “feudale” u shtypën.
Mao po e shihte se situata po dilte jashtë kontrollit, ndaj kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë. Pasoi një “fushatë për spastrimin e klasave”. Qindra mijëra njerëz të tjerë u burgosën dhe shumë u vranë. Gardistët e Kuq, lajmëtarë idealistë të revolucionit, u shpërndanë me dhunë dhe miliona prej tyre u dërguan nga qyteti në fshat.
Kursi i Revolucionit Kulturor ishte bizantin në kthesat e tij, por Mao i arriti qëllimet e tij thelbësore:ata që ai besonte se i ishin kundërvënë brenda partisë ishin hequr nga postet dhe ishin poshtëruar. Revolucioni Kulturor përfundoi vetëm me vdekjen e Maos në shtatorin e vitit 1976.
Brenda muajit pasardhësi i tij, Hua Guofeng, arrestoi figurat kryesore në Grupin e Revolucionit Kulturor, përfshirë Jiang Qing. Shumë viktima të lëvizjes radikale përfshirë Ten Hsiaopin u rehabilituan dhe morën sërish pushtetin.
Në vitin 1981 PKK publikoi një“rezolutë” mbi historinë e partisë. Ajo arrinte në përfundimin se besimet e Maos që frymëzuan Revolucionin Kulturor ishin “krejtësisht të gabuara” dhe “nuk përputheshin as me Marksizëm-Leninizmin dhe as me realitetin kinez”. Por pjesa më e madhe e fajit ra mbi Lin Biaon dhe mbi “Bandën e të Katërve”, përfshirë gruan e Maos Jiang Qing. / “History Extra” – Bota.al