Më shumë se 400 luftëtarë të Hezbollahit janë vrarë që nga 2 marsi, kur grupi i armatosur libanez nisi sulmet e para në një luftë të re me Izraelin, thanë për Reuters dy burime të njohura me numërimin e viktimave të Hezbollahit.
Ky është numri i parë zyrtar që jepet për totalin e luftëtarëve të Hezbollahit të vrarë gjatë fushatës ajrore dhe tokësore të Izraelit në Liban. Grupi ka publikuar njoftime sporadike për disa luftëtarë individualë, por nuk ka dhënë një shifër të përgjithshme. Në luftën e vitit 2023-2024 me Izraelin, Hezbollah publikonte çdo ditë njoftime për vdekjet e luftëtarëve dhe njoftoi pas përfundimit të konfliktit se rreth 5 mijë prej tyre kishin humbur jetën.
Forcat izraelite kanë dhënë një shifër më të lartë për humbjet e fundit të Hezbollahit, duke thënë se gjatë kësaj jave kanë vrarë të paktën 700 luftëtarë të grupit në Liban, përfshirë qindra anëtarë të forcave elitë “Radwan”.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi të premten se sulmet dhe operacionet tokësore izraelite kanë shkaktuar vdekjen e 1 mijë e 142 personave në Liban. Në këtë numër përfshihen 122 fëmijë, 83 gra dhe 42 punonjës shëndetësorë. Ministria nuk bën dallim midis civilëve dhe luftëtarëve.
Po të premten, ushtria izraelite raportoi se një ushtar dhe një oficer luftarak u plagosën rëndë gjatë operacioneve në Liban. Më parë, ushtria kishte njoftuar se katër nga ushtarët e saj kishin humbur jetën në përleshjet në jug të Libanit.















