Prokuroria e Tiranës ka zbardhur detaje nga operacioni ku goditën disa call ceneter-a në kryeqytet.
Gjithsej u firmosën masa sigurie ‘Arrest me burg’ për 7 persona, “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” për 2 shtetas, dhe u arrestuan në flagrancë, në kushtet e ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm, 5 persona.
Në vijim të hetimeve 2-vjeçare mbi procedimin penal nr.3377 për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, parashikuar nga neni 143/b, parag. II, i Kodit Penal, ndaj shtetasve E.D., M.H., T.A., L.T., Xh.M., M.L., Xh.H., A.B., L.C., K.D., E.H., E.T., B.B., K.B., K.Sh dhe A.K., rezultoi se pas informacioneve të marra nga autoritetet Austriake, këta shtetas mashtronin nëpërmjet aktivitetit të call-center-ave shtetas të ndryshëm të vendeve të Bashkimit Europian duke ju shkaktuar humbje të mëdha financiare.
Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin ndaheshin në grupe të ndryshme sipas gjuhëve (gjermanisht, anglisht, italisht) dhe synonin tregje të caktuara ndërkombëtare. Çdo grup përbëhej nga 6-8 agjentë dhe mbikëqyrej nga drejtuesi që i monitoronte. Puna e personave që zotëronin gjuhën Italiane, konsistonte në kryerjen e telefonatave të qytetarëve Italianë ku i ofronin shërbimin e rekuperimit të parave, të cilat i kanë humbur në investime të mëparëshme në ‘trading online’ dhe në rast se personat ishin të interesuar, i udhëzonin më pas të hapnin një llogari në “Coin Baze”, me depozitim fillestar 500 Euro. Detyra e operatorëve ishte vetëm të bindnin klientët për të bërë pagesën fillestare prej 500 Euro dhe paga mujore e tyre ka qenë rreth 800 euro, të cilën një pjesë e merrnin në dorë dhe pjesën tjetër në bankë. Secili prej punonjësve kishte username dhe vepronin me pseudonime.
Këto call-center-a funksiononin me një nivel të lartë organizimi, ndarje të qartë të detyrave dhe kontroll hierarkik, duke i ngjarë strukturave të bizneseve legjitime. Ky organizim profesional mundësonte mashtrime në shkallë të gjerë, ndërkufitare dhe dyshohet se kanë kryer mashtrim me shuma të mëdha në Vjenë dhe qytete të tjera në Austri nga periudha 15 qershor 2023 deri më 30 korrik 2024.















