Një Marc Marquez i papërmbajtshëm fitoi mëngjesin e sotëm garën e Çmimit të Madh të Australisë në Moto GP, suksesi i gjashtë sezonal për spanjollin e Honda, që hipotekon titullin kampion. Marquez ngjitet në kuotën e 269 pikëve, 33 më shumë se Andrea Dovizioso, që sot zhgënjeu, duke e mbyllur garën në vendin e 13-të dhe me dy gara nga fundi as mrekullia nuk i bën më punë. Një garë e shkëlqyer e Marquez, që në pistën e tij të preferuar nuk dështoi dhe të vetmit që i qëndruan pranë dhe dueluan për titull ishin dy pilotët e Yamaha. Valentino Rossi bëri një garë të mirë, duke e mbyllur atë në vendin e dytë, ndërsa i treti u klasifikua shoku i tij i skuadrës, Maverick Vinales.
Gara u zhvillua në kushte optimale të pistës, duke larguar dyshimet për ndonjë shit ë mundshëm, me Marquez që bëri një garë normale. I vetmi nga pilotët “big” që kishte një strategji ndryshe gomash ishte Rossi, që arriti të duelojë deri në fund për fitore. Madje për disa moment ai edhe e kryesoi garën. Zhgënjeu Dovizioso, që nuk arriti për asnjë moment të jetë mes më të mirëve, motori i tij Ducati nuk ishte në gjendje të duelojë, duke humbur pozicione. Vendi i 13-të sot në pistën e Phillip Island është një fund i trishtueshëm për të, pas fitores një javë më parë, por edhe motori tjetër Ducati, ai i Lorenzo ishte i avashtë (i 15-ti). Podiumit sot iu afrua Zarco, i katërti, pas një gare të mirë. Sfida e radhës e Botërorit, pas një jave në Malajzi.