Nga Mero Baze/ Fushata e llogaridhënies, pa diskutim që nuk ka lidhje me dhënie llogarish. Një qeveri jep llogari në zgjedhje kur qeveris keq, ose në gjykatë kur ka korrupsion. Por Edi Rama megjithatë, duket se e ka seriozisht t’i shkojë deri në fund këtij spektakli. Është fjala për një fushatë politike, e cila me tinzari po nxjerr jashtë loje opozitën dhe agresivitetin e saj, duke i mbajtur njerëzit të tërhequr në një spektakël gjysëm komunist, ku “autokritika e shëndoshë” dhe fletë rrufetë, mund të bëjnë të shfryjnë shumë nga zemërimi dhe mllefi i mbledhur nga mos qeverisja.
Nëse ka dikush që duhet ta marrë seriozisht këtë fushatë, nuk duhet të jenë qytetarët, por opozita. Agresiviteti jopolitik i saj, përpjekja për t’u shfaqur me armë në dorë në çdo vend, përfaqësimi publik nga figura alergjike, që nuk ke dëshirë t’i dëgjosh kurrë deri në fund, kanë prodhuar në vend një boshllëk sa i takon opozitës serioze, ngritjes së problematikave reale të mos qeverisjes, bllokimi i administratës për çështje shumë të rëndësishme të vendit, e deri tek kanceri i përhershëm i shërbimeve publike.
Duke qenë se opozita e ka hequr fokusin nga temat që u interesojnë qytetarëve dhe merret me mitet e prodhuara nga “qytetari digital”, me shpikje për drogë dhe skenare ndërkombëtarë, ky boshllëk po mbushet me tinzari nga Edi Rama, pikërisht me këto fushatë “llogaridhënie”, ku në fakt më shumë japin llogari njerëzit para kryeministrit, se sa ai para tyre.
Por thelbi i saj është realisht politik dhe drejtohet tek relativizimi i opozitës agresive në vend.
Njerëzit e kuptojnë më mire keq-qeverisjen kur shikojnë shembuj korrupsioni, kur ankohen për mungesë shërbimesh, kur ndjehen të tradhtuar nga premtimet elektorale etj, dhe Edi Rama është i gatshëm t’ua dhurojë këtë spektakël me shpenzimet e veta.
Nga ana tjetër, i veshur me super pushtet, me një reformë në qeverinë qëndrore që duket se i ka mbetur rrugës akoma dhe me superministra që realisht mund të mos ja dalin dot të mbijetojnë në këtë rrëmujë institucionale, ai mendon vërtet se ka nevojë të dëgjojë zëra kritikë kundër tij, por jo nga ata që gjuajnë me miell, apo këpucë, por nga ata që nuk e bezdisin.
Mënyra se si ai reflektoi për koncesionin e Kalimashit, ishte pikërisht ndjesia që mori nga protesta popullore dhe jo nga opozita. Se në fakt opozita nuk bëri kurrë një opozitë të kontratës, dhe as të ndonjë alternative. Siç doli më vonë, ajo biles ka qenë duke sabotuar dhe protestën përmes Flamur Nokës. Dhe Edi Rama u tërhoq se realisht u tremb nga zemërimi i drejtë popullor në atë rast dhe ka idenë se mungesa e informimit në shumë raste për të, vjen ngaqë dhe ai nuk merr seriozisht opozitën agresive. Dhe pikërisht për këtë është duke tentuar të prodhojë një opozitë që e dëgjon, dhe që nga e cila shpreson të kuptojë, si po i shkojnë punët.
Ndoshta ndojë gjë dhe do ta kuptojë deri në fund, por dhe po nuk e kuptoi, nuk humbet gjë. Në fund të fundit, është një përpjekje për prodhuar një opozitë “të mirë” për llogari të vet. Problemi është se për njerëzit shpesh ky spektakël është më i pëlqyer se sa marrëzitë e opozitës aggressive, dhe ky është një problem real për opozitën. Është një luftë e ftohtë tinzare ndaj saj, që mund ta dëmtojë dhe më shumë. Është një fushatë që nuk besoj se do ta ndihmojë qeverisjen, por mund ta dëmtojë dhe më tej opozitën./Tema/