Nga: Belina Budini
Vlerësimi i një libri me frymë interpretuese dhe ideologjike haptazi marksiste mund të shihet si dy herë kontrovers. Së pari, për faktin që kundërshtitë ndaj qasjes së librit nuk kanë munguar në opinionin publik shqiptar nisur pikërisht nga vënia në diskutim e legjitimitetit të saj për të shqyrtuar regjimin diktatorial në Shqipëri, dhe së dyti, për vetë faktin që çmimi i dhënë kësaj radhë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit mban emrin e një figure emblemë të anti-komunizmit shqiptar sikurse është Mid’hat Frashëri, alias Lumo Skëndo, një politikani të djathtë par excellence, njëherazi kryetar i Ballit Kombëtar dhe Komitetit “Shqipëria e Lirë”.
Ndodhi të isha pjesë e kësaj vendimmarrje kontroverse në cilësinë e anëtares së jurisë për akordimin e këtij çmimi, pa qenë domosdoshmërisht dakord me idetë apo bindjet e autores Lea Ypi. Për më tepër që fusha e vlerësimit ishte ajo e publicistikës, eseistikës dhe studimore, ku pikëpamjet dhe qëndrimet janë edhe më të ndara. E patëm pak më të lehtë vlerësimin e një tjetër autoreje grua vetëm një javë më parë me një çmim kombëtar sikurse është Çmimi Letrar Kadare që akordohet nga Universiteti Europian i Tiranës, të cilin e mori libri “Pusulla letre” i Vera Bekteshit. Ky revansh i lehtë i autoreve gra është më tepër i vonuar sesa kontrovers, por sërish është një lajm i mirë, aq më tepër që të dy këto çmime shkojnë për herë të parë tek autore gra në dy fusha të ndryshme si letërsi dhe publicistikë, ku në garë ende dominojnë autorët burra, për hir të së vërtetës.
Përtej të ndjerit mirë për një vlerësim balancues, në rastin e Lea-s kënaqësia lidhet edhe me faktin se përfaqësojmë ekzaktësisht të njëjtën gjeneratë dhe thuajse të njëjtin formim akademik e rrugëtim profesional. Për më tepër, nuk mund ta mohoj që ndiej se më përkasin edhe mua ca nga ato rrëfime të vogla fëmijërie nga libri i saj, si pjesë e kujtesës kolektive të një brezi, të lidhur pa qenë takuar e njohur kurrë nga afër. Rituale të njëjta, po ato vende dhe ngjarje, një fat i përbashkët, edhe pse në nivelin e përjetimit dhe botëkuptimit krejt të ndryshme. Për sa më përket, në vend të nostalgjisë, është pështjellimi ai që mbizotëron në kujtimet dhe reflektimet e mia për atë periudhë të errët në përvojën tonë jo thjesht si fëmijë, por si individë. Një pështjellim të tillë dhe një reflektim të thellë për dinjitetin njerëzor të nëpërkëmbur në përvojën e ish-të borgosurve të regjimit komunist, e sjell me vërtetësi tronditëse në librin e tij “Jetë burgu” Fatos Lubonja, që u vlerësua gjithashtu në short-listën finale për këtë çmim.
Koncepti i lirisë dhe burgut janë dikotomia që ndoshta i bashkon të dy këto libra, edhe pse krejt të ndryshëm për nga stili dhe zëri i rrëfimit. Në rastin e Lubonjës auto-referenca thuajse mungon duke u dhënë zë historive të burgut të personazheve që ai ka njohur e takuar, pa i zbukuruar apo marrë në mbrojtje, në demistifikim të plotë. Në rastin e Ypi-t zëri i rrëfimit është tepër vetjak, ndërsa lexohet përpjekja për të interpretuar dhe shpjeguar gjithçka dhe gjithkënd në terma marksiste. Jo si diçka e keqe! Është për t’u vlerësuar fakti që ajo është e gatshme që t’i ekspozojë angazhimet e saj etike dhe ideologjike jo vetëm përballë ithtarëve të marksizmit në komunitete të ngushta sikurse ndodh zakonisht, por përpara një publiku të gjerë, brenda dhe jashtë vendit. Pa i shmangur as strukturat e pushtetit, sepse në fund të fundit struktura e pushtetit është e pashmangshme, sidomos për një studiuese apo autore të angazhuar sikurse është Ypi.
Pavarësisht kundërshtive me të cilat është pritur në opinionin publik në Shqipëri libri i saj, ai mund të shërbejë më së paku për të provokuar diskutime etike apo ideologjike në lidhje me realitetet shqiptare të periudhës së diktaturës komuniste dhe të ashtuquajturit tranzicion demokratik. Ndoshta çmimi i akorduar rishtas do të ringjallë diskutime, pasi kritika për një libër është njëherësh edhe vlerësim për të. Mirëpo, ndoshta merita kryesore e librit të Lea Ypit është se ofron një mënyrë të re të kuptuarit të botës shqiptare për një audiencë të huaj, e cila kureshtinë më të madhe për Shqipërinë e ka të lidhur ende me periudhën e izolimit diktatorial. Përmes vetë-përfshirjes dhe rrëfimit thellësisht personal, libri ofron një strukturë shpjeguese të orientuar drejt një publiku të huaj, ndërsa qasja marksiste që në aulat shqiptare tingëllon kaq e përbuzshme, konsiderohet “fashionable” dhe madje influente në disa universitete e mjedise akademike, edhe në Angli. E shndërruar në një lloj sensacioni brenda fushës së saj, Lea Ypi është kudo në mediat e huaja dhe në promovime ndërkombëtare, duke ofruar një shpjegim “normalizues” dhe një reflektim bashkëkohor për atë që ishte përvoja e saj dhe e një brezi të rinjsh të rritur nën diktaturë dhe në kapërcyell të shndërrimeve demokratike. Dukshëm ka mbledhur tashmë një bashkësi mbështetëse për perspektivën e saj.
Së fundi, pa dashur të futem vetë këtu në diskutim me librin, për vetë faktin se ky tekst u konceptua si fjalë e shkurtër për ceremoninë e vlerësimit të autores me çmimin Lumo Skëndo, me duhet të pohoj se personalisht jam për një shpjegim objektiv dhe shkencor të përvojës tragjike që ne si popull dhe si individë kemi patur me komunizmin, ashtu si edhe me demokracinë pas rënies së diktaturës, më tepër sesa për një rrëfim me frymëzim apo qasje ideologjike. Gjykoj se vetë-përfshirja si pjesë përbërëse e konstruksionit ideologjik apo teorisë shpjeguese të autores është po aq një vegjë komunikuese e efektshme sa edhe një kufizim metodologjik, nga pikëpamja studimore, sidomos në rast se pretendimet e saj janë edhe shkencore. Sidoqoftë narrativa e saj fton për narrativa të tjera dhe për një kuptim-dhënie më të shumanshme dhe të plotë të përvojës së individit në kushtet e shtypjes dhe kufizimit të lirisë e cënimit të dinjitetit njerëzor.
*Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, UET dhe Profesore e ftuar në Universitetin e Oksfordit