Lindje natyrale apo me opracion? Prej kohësh Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vë theksin në rëndësinë e lindjeve natyrale. Tendenca e grave për t’iu shmangur lindjes natyrale ka pasojat e veta, ndërkohë që mjekët kërkojnë që gratë të mos zgjedhin direkt lindjen me operacion.
Nuk duhet të vendosë frika
Sot, gratë e dinë seksin e fëmijës, e dinë se çfarë emri do t’i vënë, madje e dinë edhe datën e saktë se kur do të lindin. Këtë të fundit e dinë më mirë se gjithçka, sepse e vendosin vetë. Po po, vetë, madje duke e lidhur edhe me ngjarje të tjera familjare, si ditëlindja e saj, ditëlindja e partnerit apo ndonjë ngjarje tjetër të rëndësishme në jetë. Me pak fjalë, sot asgjë nuk i lihet rastësisë kur flasim për shtatzëninë, gjithçka është e planifikuar deri në detaje. Shtatzënia dihet që është një periudhë plot me gëzim dhe emocione, por në të njëjtën kohë, ky moment special në jetën e një gruaje mund të shoqërohet nga pasiguri, frikë dhe dyshime, sidomos për nënat që e kanë lindjen e parë apo për ato që kanë pasur probleme në shtatzënitë e mëparshme.
Lindje natyrale VS Lindje me operacion
Sipas OBSH-së të paktën mbi 85 për qind e fëmijëve duhet të vijnë në jetë në mënyrë natyrale. Po kjo shifër jo vetëm që nuk zbatohet, por në shumë vende të Europës, tendenca e lindjeve me operacion ka pushtuar të gjitha gratë. Janë të pakta ato që vendosin ta sjellin fëmijën në dritë përmes procesit natyror të lindjes. Me pak fjalë, është pak e këshillueshme kryerja e një lindjeje me operacion, nëse gruaja nuk ka asnjë problem serioz shëndetësor. Por nëse është frika e dhimbjes dhe dëshira për të vendosur vetë kohën e lindjes para kohe ajo që ju shtyn ta bëni, duhet të keni parasysh se periudha pas ndërhyrjes do të jetë më e vështirë krahasuar me atë pas një lindjeje natyrale. Shikojini të gjitha mundësitë para se të vendosni dhe mos harroni që një lindje natyrale është gjithmonë më e mira sa u përket përfitimeve.
Frika, “dhimbja” më e madhe
Nga studimet e ndryshme ka dalë se gratë vendosin të zgjedhin lindje të parakohshme me operacion, pikërisht sepse duan të shmangin dhimbjet, lodhjen dhe sfilitjen me çdo kusht. Shumica e tyre u frikësohen komplikimeve siç është plasja e ujërave, ngatërresat e foshnjës me kordonin, dhembjet për disa orë me radhë, ndërsa të tjerat besojnë se lindja me operim është më pak e dhimbshme për foshnjën. Por për mjekët e gjitha kjo është çështje mendore. Një nënë e vendosur e përballon më së miri një proces krejtësisht natyror.
Pyetjet e shumta
Nëse shtatëzania e parë ka pasur komplikime, si duhet të sillemi? Sa duhet pritur nga një shtatzëni në tjetrën, nëse në të parën kemi hasur vështirësi? Këto janë disa nga pyetjet më të shpeshta që turbullojnë mendjen e grave që presin të lindin. Por për t’i dhënë përgjigje dhe për t’u ndjerë më të sigurta, ja se çfarë këshillojnë specialistët më të mirë të fushës…
Lindje natyrale pas një operacioni
Bindja e zakonshme mes grave është se pas një lindjeje me operacion, edhe të tjerët që pasojnë duhet të jenë në të njëjtën mënyrë. Sipas mjekëve, kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Pas një operacioni, një lindje natyrale mund të bëhet shumë normalisht. Ka rreziqe të mëdha për të cilat gruaja duhet të informohet, por kjo përqindje është shumë e vogël dhe nuk duhet pasur asnjë lloj frike. Mbi të gjitha, mjekët këshillojnë që të zgjidhet një strukturë ku aplikohen lindjet natyrale pas një operacioni.
Një shtatzëni e re, pas një operacioni
Një tjetër pyetje është se kur duhet nisur një shtatzëni e re pas një lindjeje të komplikuar me operacion. Për mjekët nuk ka një kohë të saktë për të dhënë. Nëse problemet kanë qenë sipërfaqësore, infeksion plage apo gjëra të këtij lloji s’ka asnjë problem për një lindje të mëvonshme në mënyrë natyrale.