Të paktën 4 muaj do të mjaftonin që qytetarët, të cilët kanë në përdorim tokë bujqësore të ndarë me ligjin 7501, të pajisen me titull pronësie.
Megjithatë, afatet e caktuara nuk janë respektuar nga institucionet përgjegjëse, gjë të cilën e pranon edhe Lindita Tako, drejtore e Komisionit për Verifikimin e Titujve të Pronësisë (KVVTP) në prefekturën e Tiranës.
Kjo e fundit thotë se numri i familjeve, të cilat nuk kanë titull pronësie pavarësisht se përdorin sipërfaqe toke është shumë më i madh dhe po ashtu edhe ngarkesa e institucioneve të përfshira në këtë proces.
Përmes një interviste dhënë për gazetën “Panorama”, Tako sqaron procedurat që duhet të ndiqen për t’i shkuar deri në fund procesit.
Prej 2008-s nuk ka ndarje të tokës bujqësore mbështetur mbi ligjin 7501 datë 19.07.1991, por është në proces pajisja me tapi e familjeve që i kanë në posedim këto sipërfaqe. Cila është situate aktuale dhe problematikat e vërejtura?
Kjo është e vërtetë, pasi me hyrjen në fuqi të ligjit 9948 datë 7.7.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të të titujve të pronësisë mbi token bujqësore”, ish- komisionet e ndarjes së Tokës të krijuar në bazë të nenit 7 të ligjit nr. 7501 për tokën të ndryshuar mbaruan funksionimin dhe veprimtarinë e tyre të ndarjes së tokës, i disponuar nga komisionet e mësipërme, u dorëzua pranë zyrës vendore të regjistrimit Pasurive të paluajtshme.
Me ligj u krijuan Komisionet e Verifikimit të Titujve të Pronësisë (KVVTP) pranë prefektëve të qarqeve, objekt i punës së të cilëve është verifikimi i vlefshmërisë ligjore të krijimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi si (AMTP), të krijuar deri në hyrjen në fuqi të ligjit 9948 datë 7.7.2008, proces i cili vazhdon ndërkohë.
Në lidhje me situatën aktuale si dhe problematikat e vërejtura, duhet thënë që zbatimi në praktikë i VKM dhe ligjeve të mësipërme, për sa i përket procesit të pajisjes me AMTP, nuk ka pasur ecurinë e pritur, madje në disa njësi administrative thuajse nuk ka nisur fare edhe pse ka shumë familje bujqësore, të cilët përdorin token bujqësore të ndarë nga ish Komisioni i Ndarjes së Tokës, por që nuk kanë përfituar nga AMTP në lidhje me të.