Në tetor të vitit 1982, thuajse gati 83-vjeç, Jorge Luis Borges, që tashmë ishte i verbër prej rreth 30 vjetësh, mblodhi 60 miqtë dhe admiruesit e tij më të ngushtë për një darkë të veçantë, në Nju Jork. Në takim merrte pjesë edhe shkrimtarja Suzan Sontag.
Duke folur për një gazetar, i cili ndodhej aty për të mbuluar ngjarjen, Sontag ishte në gjendje të rrokte madhësinë e jashtëzakonshme të shpirtit të Borgesit me saktësinë e saj elokuente: Nuk ekziston sot asnjë shkrimtar i gjallë, që t’u interesojë shkrimtarëve të tjerë më shumë sesa Borgesi.
Shumë vetë do të thonë se është shkrimtari më i madh i gjallë… Vetëm disa në mesin e shkrimtarëve të sotëm, mund të thonë se nuk kanë mësuar ndonjë gjë nga ai, apo se nuk e kanë imituar. Borgesi vdiq 4 vjet më vonë. Në 10-vjetorin e vdekjes së tij, Sontag iu rikthye admirimit të vet për veprat e shkrimtarit argjentinas, dhe madhështisë së trashëgimisë së tij kulturore, në një ese të titulluar “Letër Borgesit”, të shkruar në 13 qershor të vitit 1996. Ajo e fillon letrën me një falënderim sublim ndaj gjenisë dhe përunjësisë së Borgesit: Ti ke qenë vërtet produkt i kohës, kulturës tënde, por dije edhe t’i kapërceje ato, në mënyra që duken mjaft magjike. Kjo kishte të bënte me hapjen dhe bujarinë e vëmendjes suaj. Ti ishe më pak egocentriku, dhe më transparenti në mesin e shkrimtarëve, përveçse edhe më i zoti. Kishte të bënte diçka edhe me pastërtinë natyrore të shpirtit.
Ajo e konsideron Borgesin një magjistar të shtrembërimit të kohës: Kishe një sens të ndryshëm të kohës nga ai i njerëzve të tjerë. Idetë e zakonshme të së shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes, dukeshin shumë banale nën vështrimin tuaj. Të pëlqente të thoje se çdo moment i kohës përmban të kaluarën dhe të ardhmen, duke cituar (kujtoj) poetin Brauning, i cili shkroi diçka pak e shumë të tillë: “e tashmja është momenti në të cilën e ardhmja strehohet në të kaluarën”.
Kjo qe me siguri pjesë e modestisë tënde: prirja për gjetjen e ideve tek idetë e shkrimtarëve të tjerë. Mbi të gjitha, Sontag e konsideron Borgesin një antidot thelbësor ndaj mitit të gjeniut të përvuajtur: Qetësia dhe kapërcimi i vetvetës që t’i gjete janë për mua shembullore. Ti ke dëshmuar se nuk është e domosdoshme të jesh i palumur, madje edhe kur e ke të qartë panoramën para syve, dhe kur je i zhgënjyer nga fakti se sa e tmerrshme është çdo gjë. Diku ke thënë se një shkrimtar – për delikatesë ke shtuar: të gjithë njerëzit – duhet të mendojnë se çdo gjë që iu ndodh është një pasuri (po flisje për verbërinë tënde).
Por reflektimi më interesant i Sontag e kapërcen vetë Borgesin, dhe prek magjinë e letërsisë. Në fakt, Sontag e përfundon esenë e saj me një reflektim prekës dhe largpamës mbi atë se çfarë është në rrezik, kur ne largohemi nga librat dhe kur e reduktojmë letërsinë në një funksion mekanik: Librat nuk janë vetëm shuma arbitrare e ëndrrave dhe kujtesës sonë. Ato gjithashtu na japin modelin e kapërcimit të vetvetes. Disa njerëz e mendojnë leximin një lloj arratie: një arrati nga bota “reale”e jetës së përditshme drejt një botë imagjinare, botës së librave. Librat janë shumë më shumë se kaq. Ato janë një mënyrë për të qenë tërësisht njerëz.
Më vjen keq të të them, se tani librat janë duke u konsideruar një specie në rrezik zhdukjeje. Me librat, përfshij edhe kushtet e leximit, që e bëjnë të mundshme letërsinë dhe efektet e saj mbi shpirtin. Na thuhet se shumë shpejt do të gjejmë në “ekrane leximi” çdo lloj “teksti” që duam, dhe se do të jemi në gjendje të ndryshojmë formën e tij, bëjmë pyetje, “ndërveprojmë” me të.
Kur librat bëhen “tekste” me të cilat “bashkëveprojnë”, sipas kritereve të dobishmërisë, bota e shkrimeve do të shndërrohet thjesht në një aspekt tjetër të realitetit tonë televiziv të udhëhequr nga reklamat.
Kjo është e ardhmja e lavdishme që është duke u krijuar, dhe që na është premtuar si diçka më shumë “demokratike”. Sigurisht, kjo nuk do të thotë asgjë më shumë sesa vdekje e brendisë dhe librit. Sontag e mbyll esenë e saj, duke i lidhur sërish dy elementët – bukurinë e Borgesit dhe atë të librave – me qasjen e tij të zakonshme, e cila kombinon një reflektim personal, ndaj një kuptimi me ndikim universal: I dashur Borges, të lutem kupto se nuk më jep ndonjë kënaqësi fakti që po të ankohem.
Por kujt tjetër veç teje mund t’ia drejtoj këto ankesa mbi fatin e librave – vetë letërsisë? (Borges, u bënë 10 vite!). Ajo çka dua të them është se më mungon. Më mungon. Ti vazhdon të bësh diferencën. Epoka në të cilën po hyjmë, ky shekull i XXI-të, do të testojë shpirtin në mënyra të reja. Por mund të jesh i sigurtë se disa prej nesh nuk do të heqin dorë nga Biblioteka e Madhe. Dhe ti do të vazhdosh të jesh mbrojtësi dhe heroi ynë.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce