Jeta e Leonardo da Vinçit ka qenë gjithmonë intriguese për ekspertët. Gjeniu toskan, që lindi në Vinçi, një fshat toskan afër Empolit më 15 prill 1452, vdiq në moshën 67 vjeçare, duke lënë pas vetes kryevepra artistike dhe një mal me shënime dhe vizatime. Por edhe shumë pikëpyetje. A e bëri ai “Qefinin e Torinos?” A ishte i përndjekur nga një mallkim?
A ka shërbyer si spiun?
Ne e dimë që ai ishte një poliedrik. Piktor, shkencëtar, natyralist, inxhinier, arkitekt, mekanik, skenograf, shkrimtar, stilist, muzikant dhe sipërmarrës. Leonardo ishte një njeri shumë kurioz, që shkruante mbi gjithçka që i shkonte në mendje. Përveç asaj që kishte të bënte me jetën e tij private.
Fëmijë i paligjshëm
Në fakt, është gjyshi i tij Antonio ai që na informon mbi lindjen e tij në Vinçi. Fëmija ishte djali i paligjshëm i Sër Pieros, një noter fiorentin dhe Katerinës. Ne nuk e dimë me siguri as mbiemrin dhe as origjinën e saj. Por është e dokumentuar që 5 vjet më vonë ajo e lejoi djalin e vogël që të shkonte të jetonte me babanë e tij.
Si i paligjshëm, Leonardo nuk mund të aspironte të ndiqte karrierën e Sër Pieros, por ky i fundit pati meritën e nuhatjes së aftësive të jashtëzakonshme artistike të djalit të tij. Falë të njohurve që kishte, i ati e bëri nxënës të njërës prej studiove më të mëdha e më të njohura artistike në Firence:ajo e Andrea del Verrokios.
Loenardo u bë shumë shpejt nxënësi i preferuar i mjeshtrit. Falë aftësive të tij të jashtëzakonshme, por siç duket edhe për pamjen e tij simpatike. Në atë kohë homoseksualiteti ishte teorikisht i dënueshëm, por në realitet shumë i praktikuar. Dhe jo rrallë, midis faqeve të kodikëve të Leonardos, vizatime të ndryshme duket se u referoheshin pikërisht atij.
Akuzat për sodomi
Por a ishte vërtet homoseksual Leonardo?Deri tani nuk janë gjetur dëshmi direkte. Sidoqoftë, në vitin 1476 ndaj tij pati një akuzë anonime për sodomi. Në atë kohë, i riu nuk kishte pikturuar prej2 vitesh, dhe do të duhej të kalonin edhe 2 vjet para se ta bënte sërish këtë gjë. Çfarë kishte ndodhur? Ndihej i pa respektuar për punën që bënte? Apo ndërhynin interesat e reja shkencore (apo jo)?
Heretik?
S’ka asnjë dyshim se në karrierën e tij, përveç dëshirës së tepruar për të eksperimentuar, fati i keq kishte një peshë të caktuar. Si në rastin e tablosë “Darkae Fundit”, të cilën ai e realizoi midis viteve 1495-1498, dhe vepra ishte porositur nga Duka i Milanos, Ludoviko Sforca.
Ai zgjodhi të pikturonte mbi suva të thatë, në mënyrë që të punonte pa u nxituar dhe të vazhdonte të ndiqte interesat e tij të tjera të panumërta. Por lagështia e murit në Manastirin Dominikan të Santa Maria delle Gracia ia dëmtoi jo pak veprën.
Gjithsesi,fama e veprës mbeti e pa cënuar përgjatë shekujve. Dhe falë disa romaneve historikë, duke përfshirë “Kodin e Da Vinçit”të Den Braunit dhe “Darka e fshehtë”e
Havier Serrës, i dhanë Leonardos emrin e heretikut.
Në veçanti shkrimtari Serra, ka hipotetizuar se mjeshtri i Da Vinçit, ishte një mbështetës i herezisë së Katarëve (e përhapur në Evropë midis shekujve X dhe XIV).
Gjithsesi, Xhorxho Vasari, thotë se një njeri i mirë i shkencës si Leonardo nuk kishte ndonjë simpati të veçantë për fenë. Megjithatë, aktualisht nuk ka të dhëna për të rindërtuar mendimin e tij rreth doktrinës katolike.
Misteri i Qefinit
Ideja që pëlhura prej liri,me të cilin supozohet se ishte mbështjellë trupi i Jezu Krishtit në varr, mund të ishte një krijim i gjeniut toskan, vjen nga 2 ekspertët Lin Piknet dhe Klajv Prins. Edhe artistja amerikane Lilian Shvarc pretendon se fytyra që shihet në Qefinit, është një autoportret i Leonardos. Por asnjë prej tyre duket se nuk i jep shumë rëndësi faktit që burimet historike dhe ato të radiokarbonit,datojnë 1 apo 2 shekuj para lindjes së Da Vinçit.
Misteri i fundit
A ishte Da Vinçi një spiun? Burimet e kohës thonë se në kohën që artisti punonte pranë Çezare Borxhias, nuk po kryente veprat e mëdha më temë ushtarake, për të cilat ishte punësuar. Gjithsesi, përvoja e tij si një agjent 007 përfundoi në më pak se 1 vit.
Pas atij momenti Da Vinçi shkon në Firence, më pas Milano dhe së fundmi në Romë. Në vitin 1517, ai u zhvendos për herë të fundit në Ambuaz të Francës, ku mbreti Fransua I e emëroi atë “piktorin, arkitektin dhe inxhinierin e parë të mbretërisë”.
Ai i lidhi një pagë vjetore prej 1 mijë skudi dhe një banesë luksoze. Por lumturia e tij zgjati vetëm 2 vjet. I sëmurë dhe i plakur, ai vdiq 8 ditë pasi shkroi testamentin e tij:ishte 2 maji i vitit 1519. Ai u varros atje ku kishte kërkuar, në kishëzën e Shën Florentinës.
Eshtrat e tij humbën gjatë rebelimit kalvinist të viteve 1560, por në vitin 1863 poeti francez Arsen Husaje i bindi të gjithë se i kishte gjetur ato nën rrënojat e kishës, së bashku me tre fragmente të një varri, me mbishkrimet e pjesshme “INC”, “LEO” dhe “EU DUS VINC”. Ato kocka gjenden sot në kishëzën aty pranë të Shën Hubertit. Por a janë ato vërtet eshtrat e tij? “E vërteta është bijë e kohës”- shkruante dikur Leonardo da Vinçi.
Burimi i lajmit: https://www.focus.it/cultura/storia/leonardo-da-vinci-genio-dalla-vita-misteriosa
Përshtatur nga TIRANA TODAY