Ndër mitet dhe legjendat detare, pak janë aq të famshme sa ajo e Holandezit Fluturues. Shumë njerëz kanë pohuar se kanë parë anijen fantazëm të Kapitenit Hendrik van der Deken (Holandezi), pasi ajo u mbyt në vitin 1641. Për shkak të qëndrimit të tij kryeneç përballë zemërimit të stuhishëm të Perëndisë, kapiteni van der Deken dhe ekuipazhi i tij besohet të jenë mallkuar të lundrojnë pandërprerë nëpër detra deri në fundin e botës.
Kapiteni van der Deken kreu udhëtimin e rrezikshëm nga Holanda në Inditë e Lindjes së Largme për të blerë mallra fitimprurëse, si: erëza, mëndafsh dhe ngjyrues. Për shkak të kushteve klimatike, rrugës pati sigurisht ndryshim të kursit, por në fund ata mbërritën në destinacion. Pasi blenë aq mallra sa mund të mbante anija dhe i bënë kësaj të fundit riparimet e nevojshme, kapiteni van der Deken u nis për t’u rikthyer në Amsterdam.
Teksa anija e tij po sillej rrotull brigjeve të Afrikës, kapiteni van der Deken mendoi se sa e përshtatshme do të ishte sikur punëdhënësit e tij, kompania Holandeze e Indisë Lindore, të ndërtonin një port pranë Kepit të Shpresës së Mirë në Afrikën e Jugut, si një kamardare shpëtimi nga ujërat e trazuara.
Udhëtimi dhe mallkimi
Kapiteni kishte rënë në mendime të thella, ndërsa zëvendësi i tij filloi të sillej rrotull Kepit. Papritmas, filloi një stuhi e tmerrshme, duke kërcënuar të mbysë anijen dhe të gjithë njerëzit që ndodheshin në bord. Marinarët i kërkuan kapitenit të tyre të ktheheshin mbrapsht, por van der Deken refuzoi. Disa thonë se ai ishte çmendur, të tjerët se qe i dehur, por cilado qoftë arsyeja, kapiteni urdhëroi ekuipazhin e tij të vazhdojë përpara.
Ai ndezi llullën e tij dhe pinte qetësisht duhan, teksa dallgët e mëdha përplaseshin me furi mbi anije. Erërat çanë velat, ndërsa uji vërshonte kudo, mbi dhe nën kuvertë. Megjithatë, kapiteni “vazhdoi të mbante kursin e tij, duke sfiduar zemërimin e Perëndisë të Plotfuqishëm dhe bërë një betim blasfemues” (Occultopedia, 2016).
I shtyrë në limitet e tyre mendore dhe fizike, ekuipazhi u rebelua. Por, pa asnjë hezitim, kapiteni van der Deken vrau liderin rebel dhe e hodhi trupin e tij në det. Në momentin që trupi i rebelit ceku detin, anija i foli kapitenit “duke i kërkuar atij nëse kishte ndër mend të zbarkonte në breg atë natë”. Van der Deken iu përgjigj: “Qofsha përjetësisht i mallkuar nëse e bëj këtë, edhe pse mund të më duhet të qëndroj këtu deri në ditën e gjykimit!”.
Zëri i foli përsëri duke i thënë: “Si pasojë e veprimeve të tua, je i dënuar të lundrosh nëpër oqeane në përjetësi, me një ekuipazh njerëzish të vdekur, që do t’iu sjellin vdekjen të gjithë atyre, të cilët do të shohin anijen dhe sytë tuaj fantazëm, dhe kurrë nuk do të mbërrini në ndonjë port, apo të keni një moment qetësie. Për më tepër, vreri do të jetë pija juaj dhe hekuri i kuq dhe i nxehtë mishi juaj”. Kapitenit van der Deken nuk iu dridh qerpiku. Në vend që të tërhiqej apo pendohej për ato që kishte thënë, ai thjesht thirri “Qoftë e bërë!”.
Anija fantazëm
Prej atëherë kapitenit van der Deken iu vu nofka “Holandezi Fluturues”, duke lundruar me anijen e tij fantazëm në të gjithë botën. Detarët pretendojnë se Holandezi e lejoi qëllimisht anijen e tij të mbytet, duke e përplasur nëpër shkëmbinjtë e bregut dhe ata nënujorë. Shumë prej tyre pretendojnë se, nëse ju qëllon të gjendeni në mesin e stuhie të fortë tek Kepi i Shpresës së Mirë, do të shihni kapitenin dhe ekuipazhin e tij skeletik. Por kujdes: legjenda thotë se kushdo që sheh Holandezin me siguri do të pësojë një vdekje të tmerrshme.
Legjenda e Holandezit Fluturues, fitoi popullaritet të madh në vitin 843 me operën me të njëjtin emër të Rikard Vagnerit. E megjithatë, arsyeja pse kjo legjendë ka mbijetuar kaq gjatë, duke qenë subjekt i kaq shumë ritregrimeve (frymëzoi jo vetëm Vagnerin, por edhe Kolerixh tek ‘Rima e Marinarit të Lashtë’, filmin Piratët e Karaibeve etj), i detyrohet shumë sinjalizimeve të supozuara të anijes fantazmë.
Një prej dëshmive më të famshme ka ndodhur në 11 korrik, 1881 nga Princi Xhorxh i Uellsit (mbreti i ardhshëm Xhorxhi V) dhe vëllai i tij, Princi Albert Viktor. Asokohe ata qenë duke lundruar buzë brigjeve të Australisë. Princi Xhorxh shkroi në ditarin e tij:në datën 11 korrik, në orën 4 të mëngjesit, Holandezi Fluturues mbi ne.
Një dritë e kuqe e çuditshme si një anije fantazmë e gjitha të zjarrtë, në mesin e të cilës feksi direku dhe marinarët. Ajo u pa nga 13 persona… Në 10.45 të mëngjesit, marinarët e zakonshëm që e kishin parë raportuan se Holandezi Flutures u hodh nga kuverta dhe imazhi i tij u shpërbë në ujë”.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce