Gjatë fjalës së tij pothuaj 2 orë në komunikimin me median lidhur me protestën e studentëve, Rama u ndal edhe te dorëheqja e Taulant Mukës. Këtë të fundit, kryeministri e quajti ‘larvë politike’, ndërsa tha se ish/zëvendës ministri i Arsimit i kishte kërkuar veturë e shofer personal, si dhe punësimin e të atit në një ministri si shofer.
“U bë personazh ky Taulant Muka. Më erdhi me një grup pedagogësh, kërkoi takim me Nikollën ajo e priti. Më tha që kam një takim me një djalë, ka një ide. I thashë po bjeri këtu se kisha dëshirë t’i takoja. Kjo është e vërteta. Erdhën në zyrën time. Ishin një grup pedagogësh. Më shtroi platformën e tij. I thashë ku je ti, më tha në Zvicër. I thashë s’mund t’i bëjë të gjitha qeveria. Ti në Zvicër që na hedh shashka e tregon si duhet bërë, kjo nuk shkon. Do vish ta bësh ti i thashë. Ai zv/ministër që ti e akuzon, të ikë ai e hajde ti në vend të tij.
Kjo që thoni ju është diçka që s’e prisja. I thashë kjo është gjëja që të propozoj, ose ik edhe kjo s’bëhet. Jeni ju të universitetit, merreni në dorë dhe zgjidhni problemin.
Ditën e parë dua veturë me shofer. Jo po banjon pse nuk e kam në zyrë? Po kjo, po ajo? Babain e dua shofer të punësuar në ministri. I thoshte Lindita këto, i thashë ça bën ky.
Më çoi një mesazh, pastaj jep dorëheqjen e thotë Edi Rama është mësues vizatimi e thotë që s’bëj dot reformë. Është një larvë politike, këtë mendoj unë për të”,tha Rama për Mukën.
Pas kësaj deklarate, ka reaguar vetë kërkuesi Muka me një deklaratë të shkurtër, ku pyet kryeministrin se përse u nxeh, ndërsa paralajmëron se së shpejti do të nxjerrë të vërteta të tjera.