Nga Halime Pehlivan “TRT World”
Një dekret i nxjerrë në vitin 1274, thoshte se “asnjë qytetar ose banor i qytetit të Bolonjës,
nuk mund të përpiqet t’i nxjerrë studentët jashtë qytetit me synimin që ata të vazhdojnë të studiojnë diku tjetër”. Më vonë, ky rregulli u forcua me një dënim me vdekje, që ishte mënyra mesjetare për të goditur dukurinë e “largimit të trurit”, pra emigrimin e profesionistëve shumë të aftë.
Tani, disa shekuj më vonë, qytetarët në bregun tjetër të Detit Adriatik po përballen me një problem të ngjashëm. Po si duhet ta trajtojnë këto vende këtë dukuri në epokën moderne?Emigrimi i të rinjve dhe të talentuarve, është një nga problemet më të vështira dhe më të ngutshme të emigracionit në Ballkan.
Në fillim të vitit 2020, Raporti Global i Konkurrencës i Forumit Ekonomik Botëror paraqiti një panoramë të zymtë për rajonin:në nivel global, Bosnja, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kroacia renditen ndër vendet më të prekura nga largimi i më të aftëve.
Të rinjtë e kanë pasuar të vështirë të mbijetojnë në tregun e punës në vendin e tyre për shkak të mundësive të papërshtatshme dhe pagave të ulëta. Për pasojë, shumë prej tyre kanë kërkuar profesione dhe standarde më të mira jetese jashtë vendit. Për më tepër, pandemia e Covid-19 dhe rënia e mëtejshme e tregut të punës, e përkeqësuan shumë situatën në rajon.
Sipas sondazhit të Barometrit Ballkanik, 3janë arsyet kryesore të fenomeni:papunësia e madhe, një ekonomi e dobët dhe korrupsioni i shfrenuar.
Një raport i fundit nga “Transparency International”, zbuloi se dy vende të Ballkanit, Bullgaria dhe Rumania, renditen më keq midis të gjitha shteteve të BE-së për sa i përket luftës anti-korrupsion. Ato pasohen nga Hungaria dhe Kroacia.
Aktualisht, vendet e Ballkanit, kanë nivelet më të larta të papunësisë midis të rinjve të moshës 15-24 vjeç. Të dhënat e Bankës Botërore, tregojnë se ndërsa papunësia për këtë segment të popullsisë në Serbi është 30 për qind, niveli në Maqedonisë së Veriut është
38 për qind, ndërsa në Bosnje 40 për qind.
Për këtë arsye, përballë këtyre statistikave dhe aspiratave për një jetë më të mirë, një numër i konsiderueshëm njerëzish largohen nga vendlindja e tyre. Po ku shkojnë të gjithë këta të rinj? Emigrantët ekonomikë nga Ballkani, priren të zgjedhin vende me nivele më të larta punësimi, me rritje ekonomike të mirë, me ngjashmëri kulturore dhe një PBB më të lartë për frymë.
Logjikisht, Gjermania është destinacioni i preferuar për shtetasit e Ballkanit. Për shembull, maqedonasit emigrojnë kryesisht në Gjermani, Australi, Zvicër dhe Turqi. Po ky lloj migrimi është shumë më i lehtë për vendet anëtare të BE-së.
Burimet zyrtare qeveritare thonë se 40.000 kroatë, kryesisht të rinj, janë larguar çdo vit nga vendi që kur Zagrebi iu bashkua BE-së në vitin 2014. Pasaporta e BE-së, siguron qasje për leje pune në të gjitha vendet e unionit. Rrjedhimisht, ekziston tendenca e marrjes së pasaportave nga vendet fqinje anëtare të BE-së.
Për shembull, 25 për qind e mbajtësve të pasaportave kroate që punojnë jashtë vendit, ka shumë të ngjarë të jenë nga Bosnja,ndërsa shumica dërrmuese e moldavëve në Perëndim kanë pasaporta rumune. Emigracioni gjithashtu ka edhe pasoja pozitive:rritje të dërgesave në para dhe nivele më të ulëta të papunësisë.
Por ato janë përfitime kryesisht afatshkurtra. Violeta Jovanoviç, drejtoreshë ekzekutive e Aleancës Kombëtare për Zhvillimin Ekonomik Lokal (NALED), thotë se Serbia humbet 2 miliardë euro çdo vit vetëm nga emigrimi i të rinjve.
Një studim i botuar nga Shoqata Bullgare e Kapitalit Industrial, vlerëson një dëm prej 14 miliardë eurosh që prej vitit 1990. Ky i fundit është i barabartë me 500.000 studentë të shkollës së mesme dhe 300.000 studentë universitarë që u larguan nga vendi pas diplomimit.
Kjo është një statistikë shumë shqetësuese, duke pasur parasysh popullsinë e vendit prej vetëm 7 milion banorësh. Mediat në Bosnje kanë raportuar se qeveria shpenzon 50 milion euro në vit për arsimimin e ardhshëm të mjekëve dhe infermierëve, njerëz që shpesh largohen jashtë vendit sapo diplomohen.
Për më tepër, vendet në rajon kanë filluar të përballen me mungesën e punëtorëve të kualifikuar në fushat më jetike. Në vitin 2015 në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, ndodhi një zjarr i madh në një klub nate që solli vdekjen e menjëhershme të 27 personave.
Pjesa tjetër e 67 viktimave në total nga ajo tragjedi, vdiqën në spital, për shkak të infeksioneve spitalore dhe dezinfektuesve tepër të holluar. Ndaj nuk është për t’u habitur
që në vitin 2019 Rumania u klasifikua si vendi me sistemin shëndetësor më të dobët në Bashkimin Evropian.
Situata në Serbinë fqinje nuk është më optimiste. Mosha mesatare e mjekëve në vend është 55 vjeç, dhe numri i mjekëve të rinj që largohen në Perëndim po rritet dita ditës. Nga ana tjetër, në Kosovë është hapur një shkollë ku stafi mjekësor trajnohet enkas për të punuar në Gjermani.
Pagat e ulëta dhe papunësia në nivelin 30 për qind tektë rinjtë, ka ndikuar shumë tek kjo prirje. Për ta frenuar atë, një raport i Komitetit Evropian rekomandon që vendet e Ballkanit të hulumtojnë më mirë dhe ta kuptojnë me themel këtë dukurinë, në mënyrë që të zbatojnë politika dhe masa të reja më efikase.
Në këtë kontekst, Greqia, me një normë papunësie 32 për qind në mesin e të rinjve, ka nisur zbatimin e programit “Rebrane Greece“ në fundin e vitit 2019. E mbështetur nga Ministria e Punës, nisma synon që të rikthejë mjekët dhe infermierët grekë që kanë emigruar në vendet e tjera,duke u ofruar një pagë mujore prej 3000 eurosh në muaj 500 punonjësve të rinj më të mirë që dëshirojnë të rikthehen në Greqi si pjesë e projektit.
Kjo tendencë u ndihmua disi gjatë pandemisë. Gati 500.000 bullgarë u rikthyen në vend bazuar në “dëshirën për të qenë me të afërmit” apo për shkak të “humbjes së punës”. Ndërkohë në shtëpi janë rikthyer gati 1.3 milion rumunë.
Nëse shfrytëzohet me mençuri kjo situatë nga autoritetet vendase, kjo mund të shkaktojë “rifitim të trurit” në planin afatgjatë. Por qeveritë në rajon kanë sfida të tjera të vazhdueshme. Kështu,në Bullgari shumë prej të kthyerve morën pjesë në protestat anti-qeveritare të verës së kaluar.
Prandaj nuk është për t’u habitur që 2/3 tretat e bullgarëve të kthyer, planifikojnë të emigrojnë sërish. Në të kaluarën, këta punëtorë të rinj kishin prioritet sigurimin e jetesës. Tani kërkojnë spitale më të mira, arsim cilësor dhe standarde më të larta jetese, diçka që fatkeqësisht rajoni nuk mund ta sigurojë.
Sfida e “rrjedhjes së trurit” ka shkaqe të shumta:PPB-ja e ulët për frymë, paga të vogla, mungesë investimesh në kapitalin njerëzor, korrupsioni etj. Për pasojë, përderisa nuk ka vetëm një arsye, nuk ka as vetëm një zgjidhje.
Thënë kjo, hapi i parë është ndërgjegjësimi. Pavarësisht nga qasja e saj e rreptë, Bolonja nuk arriti t’i mbajë në qytet studentët dhe studiuesit e saj. Ndoshta Ballkani do të mësojë nga e kaluara, dhe do të parandalojë përsëritjen e historisë.
burimi:https://www.trtworld.com/perspectives/the-silent-brain-drain-of-the-balkans-45309
Përshtatur për Tirana Today