“Bosi” që beu Milanin nga Berlusconi për një shifër prej 860 milion dollarësh duket se nuk është ai që u prezantua në fillim pasi erdhi në Itali. Në një artikull të “New York Times”, tri gazetarë kanë hulumtuar që prej muajit gusht pasurinë e Li Jonghong, presidentit kinez të Milanit, dhe tashmë kanë dalë me disa pikëpyetje të mëdha.
Fakt është që për Li nuk kishte dëgjuar askush më parë në Itali dhe në Europë, por as për perandoritë e minierave si ç’pretendonte ai se kishte në pronësi. Investoi shuma të mëdha për Milanin që e bleu dhe në merkato, por ai nuk bën pjesë në listën e të pasurve që është publikuar në Kinë.
Gazetarët amerikanë kanë vizituar edhe zyrat e kompanisë së tij, por aty nuk kishte njeri dhe në dyert e tyre ishin të varura parulla me shënimin “Mbyllur për mospagim qiraje.” Li pretendonte se kishte edhe miniera fosfori në Kinë, por nga kërkimet që janë bërë dokumentacionet kineze emri i pronarit të Milanit nuk është gjetur.
New York Times thotë se vetëm brenda një viti, miniera në fjalë është shitur dhe blerë plot katër herë dhe në dy raste me kosto zero dhe në asnjë rast nuk figuron kompania e presidentit të Milanit.
Gazeta amerikane thotë se kontaktoi me përfaqësues të Li, të cilët nuk komentuan këto pretendime, por siguruan se “perandoria e minierave të Li Yonghong është verifikuar nga avokatët dhe bankat italiane”.