Lufta e klasave ka qenë një nga aspektet më mizore të regjimit komunist. Viktimë e saj ranë qindra mijëra njerëz, që u burgosën dhe internuan për “fajet” e ndonjë të afërmi të tyre.
Por në disa raste diktatori Enver Hoxha ka kërkuar publikisht përjashtimin nga ky rregull, të individëve të talentuar, kryesisht në fushën e letrave dhe artit.
Në një mbledhje të sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së në vitin 1979, Hoxha vlerësoi lart interpretimin e aktori Robert Ndrenika në rolin e nënprefektit në filmin artistik “Koncert në vitin 1936”.
Sipas Hoxhës, në raste të tilla nuk duhen vërë re “njollat” në biografi. “Ai duhet të jetë artist i merituar, por nuk e bënë të tillë, se na paska vëllanë të arratisur.
Na u prish puna, se Ndrenika e paska vëllanë të arratisur. Po kush pyet për vëllain e tij”- deklaroi Hoxha. Të njëjtin vlerësim Hoxha pati edhe për aktorin njohur, Mirush Kabashi, daja i të cilit ishte pushkatuar nga regjimi në vitin 1947.
Disa artistë të tjerë me probleme në biografi, arritën të kishin një jetë deri diku të qetë falë talentit të tyre.
Ndërkohë nuk duhen harruar qindra të tjerë, që nuk patën dhe aq fat, duke u pushuar nga puna, burgosur dhe internuar. TIRANA TODAY