Charlie Chaplin ishte pionier i komedisë së shekullit XX-të, karriera 75-vjeçare e të cilit shtrihet nga koha e filmit pa zë, për të vazhduar me filmat e rëndësishëm me zë të viteve 1950 dhe deri në filmin e tij ikonë “Një mbret në Nju Jork”. Jeta e Chaplin-it jashtë ekranit ishte pothuajse po aq e turbullt, sa edhe aventurat e tij në ekran dhe, në një moment, gjatë viteve 1930, ai i shpëtoi për fije vdekjes në Japoni.
Në shkurt të vitit 1931, Mbretëria e Bashkuar, Japonia, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan mes tyre një traktat. Ai u quajt Traktati për Kufizimin dhe Reduktimin e Armatimit Detar, dhe kishte si qëllim të kufizonte forcat ushtarake detare të vendeve që e nënshkruan atë, për shkak se ato kishin qenë të përfshira në një garë të ethshme armatimesh gjatë Luftës së Parë Botërore.
Japonia respektoi në tërësi rregullat e traktatit, por disa anëtarë ultranacionalistë të marinës japoneze nuk qenë të kënaqur me rregullat e reja. Ata mendonin se traktati dobësonte demokracinë dhe fuqinë ushtarake të Perandorisë së Japonisë, prandaj planifikuan vrasjen e kryeministrit, Inukai Tsuyoshi.
Ekzekutimi i këtij të fundit do të shërbente si një grusht shteti, pas së cilit komplotistët do të ishin në gjendje të zëvendësonin qeverinë me një juntë ushtarake. Komplotistët u ndihmuan nga anëtarët civilë të partisë nacionaliste “Lidhja e Gjakut”. Ata planifikuan sulmin ndaj rezidencës së kryeministrit, vrasjen e tij dhe të të birit 21 vjeçar. Në atë kohë, Charlie Chaplin gjendej për vizitë në Japoni, dhe kryeministri vendosi të organizojë në shtëpinë e tij, një pritje për nder të aktorit të mirënjohur.
Komplotistët e panë këtë si një mundësi për të vrarë Chaplin-in, akt që ata mendonin se do të shkaktone një luftë ndërmjet Perandorisë së Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në 15 maj të vitit 1932, komplotistët sulmuan rezidencën e kryeministrit, duke e qëlluar dhe vrarë atë.
Megjithatë, pritja për Chaplin-in u shty në momentin e fundit, për shkak se djali i kryeministrit e mori aktorin e njohur për të parë së bashku një ndeshje sumo. Chaplin i shpëtoi vdekjes gati së sigurtë, për shkak se më shumë se 11 vrasës të pamëshirshëm sulmuan atë mbrëmje rezidencën e kreut të qeverisë.
Një grup tjetër komplotistësh, hodhën granata dore në disa ndërtesa të rëndësishme në Tokio, duke përfshirë edhe selinë e Bankës Mitsubishi. Komplotistët që vranë kryeministrin u kapën dhe u nxorën para gjyqit ushtarak, por në fund morën dënime shumë të buta, për shkak se gjykatës iu dorëzua një peticion për lirimin e tyre që përmbante 350 mijë firma, të gjitha të nënshkruara me gjak.
Charlie Chaplin shihej asokohe si një personalitet komik, me mustaqe qesharake dhe një kapele cilindrike, por vizita e tij në Japoni ishte gjithçka përveçse komike. Ai i shpëtoi vdekjes gati të sigurt, për të qenë dëshmitar i ngjarjeve historike që çuan në rritjen e militarizmit japonez.