Kombëtarja U-17 e Shqipërisë i ka nisur në mënyrën më të keqe eliminatoret e Europianit, pasi në takimin e parë është shkatërruar nga Çekia me rezultatin e thellë 6-0. Ndeshja u zhvillua në “Elbasan Arena”, kuqezinjtë e rinj që drejtohen nga Xhemal Mustedanagic u mposhtën me rezultatin e thellë 6-0, duke u shpërfytyruar që në pjesën e parë.
Faza mbrojtëse e Shqipërisë linte për të dëshiruar, me numrin 8 të Çekisë, Wojatschke, që vallëzonte sikur të ishte në një ndeshje stërvitore me një ekip amator në zonën e kuqezinjve. Ai realizoi dy golat e parë në minutat 13’ dhe 19’, si dhe të tretin personal në fillim të pjesës së dytë. Zvoboda dhe Hlozek gjetën gjithashtu rrjetën në minutat 23’ dhe 42 të pjesës së parë. Vacklav Sjek vulosi rezultatin 6-0 pak para se të mbyllej takimi.
Diferencat në fushë ishin aq të mëdha, sa 17-vjeçarët e Shqipërisë e kishin të vështirë të organizonin aksione të rrjedhshme për t’iu afruan zonës kundërshtare. Sfida tjetër e Grupit 8 eliminator mes Azerbaixhanit dhe Norvegjisë përfundoi me fitoren 1-4 të nordikëve. Në ndeshjen e dytë në grup, Shqipëria do të përballet me Norvegjinë, më 26 tetor, po në “Elbasan Arena”.
Shqipëria U-17 e filloi ndeshjen me këtë formacion: Ceka, Shehu, Zaimi (’65 Kotrri), Smajlaj (c), Doda, Arapi, Stafa (’46 Ismaili), Mitaj (’46 Biseni), Kuqi (’59 Preka), Memushaj (’22 Gjini), Cahani. Kuqezinjtë e drejtuar nga Mustedanagic do të zhvillojnë edhe dy ndeshje të tjera: Norvegji – Shqipëri më 26/10 në stadiumin “Elbasan Arena” ora 14:00 dhe ndeshja e tretë dhe e fundit, Shqipëri-Azerbajxhan më 29/10 ora 14:00 po në qytetin e Elbasanit.
Kjo është renditja e grupit 8, ku bëjmë pjesë:
R.Çeke 3 pikë
Norvegji 3 pikë
Azerbajxhan 0 pikë
Shqipëri 0 pikë