Vogëlushi 11-vjeçar Ciro Marmolo, i cili i shpëtoi tërmetit në ishullin Ischia, po cilësohet si hero në mbarë botën.
Ciro shpëtoi vëllanë e tij 8-vjeçar, pasi në kohën kur kishte rënë tërmeti, e kishte shtyrë atë poshtë krevatit.
Së bashku me të vëllanë, Matias, Ciro qëndroi plot 16 orë nën rrënoja, ndërsa gjatë gjithë kohës i kishte dhënë kurajo të vëllait se gjithçka do të bëhej mirë.
“Mendimi im i parë sapo pashë dritën e diellit ishte Zoti. Kuptova se ai ekziston me të vërtetë”, ky është rrëfimi prekës i vogëlushit për mediet italiane.
11-vjeçari tregon se vëllai i tij ishte një shtysë e madhe për të, që të dy të dilnin shëndoshë e mirë nga rrënojat.
“Kur mora vesh se vëllai im i vogël ishte mirë, i thashë vetes: Duhet t’ia dal mbanë”, vijoi me rrëfimin e tij vogëlushi.
Aktualisht Ciro është i shtruar në spitalin “Rizzoli di Laço Ameno’”, ndërsa në dhomë me të është edhe e ëma e tij, Alessia, shtatzënë në muajin e pestë, në pritje të fëmijës së saj të 5-të.
Edhe Alessia thotë se ishte dora e Zotit ajo që bëri mrekulli për fëmijët e saj:
“Atë natë të mallkuar kuptova se ndërhyri dora e Zotit që të na shpëtonte. Tashmë kam mësuar sesa vlen jeta”.
Por, Ciro ka një tjetër dëshirë: ai kërkon t’i kthehet jetës së mëparshme, ku luante me lodra bashkë me vëllezërit e tij.
“Dua që të shërohem dhe të jem një fëmijë normal. Ku do shkojmë? Lodrat tona, çdo gjë e jona..humbëm gjithçka. Dua të luaj sërish poshtë shtëpisë time, të rri me shokët e mi, të shkoj në plazh, të vrapoj sikur mos të kishte më një të nesërme”, tha heroi i vogël për Luna tv.
Megjithatë, 11-vjeçari nuk harron të falendërojë një nga punonjësit e zjarrfikëses së Lacio, që i dha ndihmë vogëlushit.
“Faleminderit që më dhe kurajo. Me siguri që do të shkojmë të hamë pica së bashku. Po të mos ishte për ty, unë me siguri do kisha vdekur”.
Tërmeti 3.6 ballë ra mbrëmjen e së hënës, duke shkaktuar vdekjen e dy grave dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa mbi 1.000 të tjerë kanë ngelur në qiell të hapur për shkak të dëmeve materiale. /Tirana Today